LajmeMaqedoni

3 mijë nxënës më pak në klasë të parë! Qeveria: Shkaku kryesor është demografia, opozita: Njerëzit po ikin jashtë

Në fillimin i vitit të ri shkollor për nxënësit filloristë dhe shkollave të mesme u evidentuan 3 mijë fëmijë më pak të regjistruar në klasë të parë, me 433 më pak paralele dhe me 26 shkolla rajonale të mbyllura. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se 90% e problemit është për çështje demografike, përkatësisht uljes së lindshmërisë në Maqedoninë e Veriut.

“E gjithë kjo që ndodhte në mënyrë sistematike ndikonte vit pas viti, nga 700-800 madje nga 1,000 fëmijë të kemi më pak lindje në spitalet tona. Për këtë kam folur para dy vitesh ku një grup i vogël me përqeshnin me klipe të ndryshme, më nënçmonin se jam i prapambetur e retrograd. Kjo po ndodh në të gjitha bashkësitë etnike. Kur e shohin në praktikë thonë se është sfidë për gjithë ne dhe do të jetë”, deklaroi kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.

Por, kreu i opozitës maqedonase Venko Filipçe tha se tkurrja e sistemit arsimor po ndodh sepse prindërit po ikin jashtë shtetit.

“Çfarë ndodhi me ata njerëz me ato familje? Sigurisht jo, që ky nuk është vetëm rezultat i lëvizjeve të brendshme demografike, por ata njerëz thjeshtë janë shpërngulur! Sepse? Për shkak se nuk e shohin ardhmërinë në vend! E shohin se nuk ka masa, asgjë nuk ndodh, nuk ka përparim, s’ka politika të mira ekonomike nuk kanë mbështetje për qytetarët, posaçërisht për çiftet e sapo martuara dhe normalisht njerëzit e shohin ardhmërinë jashtë shtetit”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Këtë vit shkollor e filluan rreth 174 mijë nxënës të arsimit fillor dhe 64 mijë të arsimit të mesëm. Në klasë të parë janë regjistruar rreth 14 mijë e 500 filloristë. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska tha se asnjë mësimdhënës i punësuar me kohë të pacaktuar nuk është larguar nga puna. Ndërkohë, në një numër më të madh shkollash është futur mësimi në një turn, ndërsa nga marsi i vitit 2027 është paralajmëruar edhe rritje e pagave në arsim nga 7,5 deri në 10%, thonë autoritet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close