Rami Mislimi
Në komentin e fundit të Muhamed Zekirit, të publikuar në portalin TS me titullin “Zgjedhjet e parakohshme dhe frika e VLEN-it”, unë do ta kisha shtuar edhe frikën e BDI-së.
Sepse nuk pajtohem me qëndrimin se zgjedhjeve të parakohshme u frikësohet vetëm VLEN-i dhe jo edhe BDI-ja.
Është fakt se VLEN-i, në momentin kur do të përballet me popullin, mund të marrë goditjen më të rëndë historike për shkak të nënçmimit që kjo qeveri u ka bërë shqiptarëve. Por është po aq e vërtetë se BDI-ja nuk mund të paraqitet si shpresa e vetme për shqiptarët, që besojnë se përmes saj mund të shpëtojnë nga nënçmimi i një qeverie të ardhshme.
BDI-ja e di se shqiptarët nuk e duan aq sa mendojnë ata. E di se edhe nëse zgjedhjet mbahen në prill, mund të dalë fituese, por me një dallim shumë të vogël. Dhe ky dallim mund të jetë rrezik serioz për të mos qenë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Prandaj edhe BDI-ja i frikësohet zgjedhjeve të parakohshme.
BDI-ja e di gjithashtu se fitorja në Bërvenicë nuk është fitore ekskluzive e saj. Është fitore e shqiptarëve, ku hise ka çdo parti politike, dikush më shumë e dikush më pak. Edhe ky është një fakt që nuk mund të anashkalohet.
Si opozitë, BDI-ja nuk ka arritur t’u krijojë shqiptarëve bindjen se VLEN-i është e keqja e këtij populli, ndërsa BDI-ja e mira e saj.
Shqiptarët brenda vendit dhe ata në diasporë nuk duan më që VLEN-i të jetë zëri i tyre, por nuk duan as rikthimin e BDI-së me të njëjtën politikë dhe me të njëjtët njerëz.
Shqiptarët duan një BDI tjetër. Një BDI që interesin e shqiptarëve nuk e negocion me asnjë çmim, djersën e tyre nuk e fshin me asnjë letër dhe gjakun e shqiptarëve nuk e shkel për asnjë kompromis.
Prandaj nuk pajtohem me Muhamed Zekirin kur thotë se vetëm VLEN-i frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme.
Zekiri përmend edhe një fakt të pamohueshëm se çelësi i çdo qeverie të ardhshme është kryeministri Mickoski.
Atëherë, cili është roli i partive politike shqiptare nëse ato nuk janë as çelësi e as brava? Pse partitë shqiptare, e veçanërisht BDI-ja, nuk mund të jenë njëra prej këtyre?
Sepse ekziston një fakt tjetër, një mur hekuri që nuk e lejon BDI-në të bëhet as celësi e as brava por as grushti i fuqishëm i shqiptarëve në qeverinë e ardhshme.
Si mund të jetë grushti i fortë i shqiptarëve një parti ku ende ata që janë bërë “milionerë” vazhdojnë të marrin rroga nga djersa e një të riu?
Ata që për vite me radhë kanë qenë drejtorë e ministra, sot marrin rroga nga arka e partisë.
Çfarë grushti do të jenë nesër ata për të mbrojtur shqiptarët, kur ende nuk u mjafton ajo që kanë përfituar financiarisht?
Prandaj BDI-ja frikësohet nga zgjedhjet.
Sepse ende nuk është çliruar nga “hienat e pangopura”, nga ata që shkelin mbi zemrën dhe dinjitetin e një të riu që nuk shitet, nuk trembet dhe nuk bën kompromise për një rrogë.
BDI-ja nuk do të ketë frikë nga zgjedhjet vetëm atëherë kur “hienat e rrogave” të largohen nga arka e partisë dhe vendin e tyre ta zënë ata që e duan partinë pa hile, pa interesa personale dhe me ZEMËR.
Sepse shqiptarëve nuk u duhet një BDI që lufton për të mbijetuar politikisht, por një BDI që lufton për shqiptarët!


