Gjorgjievski: Valë e madhe investimesh në Shkup, projekti „Limak“ për të ulur kaosin në trafik, dy shkolla të reja dhe stacion i zjarrfikësve

Në emisionin „Klik Plus“ në TV21 ishte i ftuar kryetari i Qytetit të Shkupit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, i cili paralajmëroi intensifikimin e realizimit të disa projekteve kapitale në kryeqytet.
Ndër projektet kryesore janë përfundimi i një pjese të projektit „Limak“, ndërtimi i dy shkollave të reja, një stacion i ri zjarrfikësish, si dhe aktivitetet për rikthimin e funksionalitetit të parkut argëtues „Luna Park“.
Gjorgjievski theksoi se projekti „Limak“ është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore për Shkupin, i cili, sipas studimeve të realizuara, pritet të ulë kaosin në komunikacion për të paktën 33 për qind.
„Limak është një nga projektet më të rëndësishme kapitale në kryeqytet, i cili, sipas të gjitha studimeve të komunikacionit, do ta zvogëlojë trafikun e rënduar në kryeqytet për të paktën 33 për qind. Ky është një veprim shtetëror dhe nuk është vetëm projekt i qytetit. Synimi ynë është që në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ta përfundojmë këtë pjesë, fazën në Kisella Vodë, ku përfshihen dy rrethrrotullime të mëdha, hyrja përmes rampës në tunel dhe pjesët e tjera. Paralelisht do të hyjmë në procesin e realizimit të fazës së fundit, në pjesën te ‘Nova Makedonija’“, deklaroi Gjorgjievski.

„Këtu do të përmendja korsinë e tretë në hyrje të Shkupit, në Gazi Babë, të cilën gjithashtu do ta realizojmë vitin e ardhshëm. Një tjetër lajm i mirë është se kemi paraparë mjete për fillimin e procedurës së tenderimit dhe, pas shumë vitesh, në qytetin e Shkupit do të fillojë paralelisht ndërtimi i dy shkollave. Një shkollë e mesme e re në Gjorçe Petrov dhe një shkollë në Draçevë, ku aktualisht ka baraka të vjetra dhe të rrënuara. Duhet të investojmë shumë në arsim dhe për këtë arsye këtë vit kemi investime kapitale në arsim si asnjëherë më parë“, theksoi Gjorgjievski.

Si pjesë të planeve zhvillimore për Shkupin, Gjorgjievski paralajmëroi edhe ndërtimin e një stacioni të ri zjarrfikësish, si dhe hapa konkretë për realizimin e projektit të „Luna Parkut“.
„Një nga projektet kyçe është edhe stacioni i ri i zjarrfikësve, i cili do të ndërtohet në Tromeçe. Kemi siguruar mjetet financiare, ndërsa Qeveria na e ka dorëzuar tokën. Ndryshimi tashmë është regjistruar në kadastër dhe së shpejti do ta shpallim tenderin. Do të jem një kryetar që do të mbahet mend për ndërtimin e një stacioni zjarrfikësish në kryeqytet pas shumë vitesh, ndërtimin e dy shkollave, realizimin e projektit Limak dhe disa projekteve të tjera të rëndësishme kapitale. Këtu do të shtoja edhe Luna Parkun, për të cilin shumë shpejt do të fillojmë me aktivitetet konkrete“, u shpreh Gjorgjievski.
Ora24.tv