Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, në emisionin “IMPAKT”, në TV SHENJA ka bërë thirrje që qytetarët shqiptarë që jetojnë në Komunën e Butelit, por që në dokumentet personale kanë vendbanim në komuna të tjera, ta ndryshojnë adresën e tyre zyrtare. Sipas tij, kjo do të ndikonte në pasqyrimin e strukturës reale demografike të komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Popullata si popullatë, por edhe ne si politikë, duhet të jemi më të unifikuar në këtë drejtim dhe duhet t’i senzibilizojmë gjithë ata qytetarë që jetojnë gjeografikisht në Komunën e Butelit, ndërsa në aspektin juridik apo të dokumenteve janë me vendbanim diku tjetër. I kisha inkurajuar dhe kisha kërkuar që çdokush prej tyre ta bëjë ndryshimin e dokumenteve personale konform vendit ku jeton dhe në atë formë ne do të kishim arritur që atë dallim demografik që mund ta presim dhe që e kemi realisht ta realizojmë në zgjedhjet e ardhshme lokale, sepse thjesht, kështu është demografia e Komunës së Butelit.
Edhe politika, edhe qytetarët, por edhe shoqëritë civile, edhe të gjithë ata që mund të kontribuojnë në këtë drejtim duhet të ndihmojnë që, thjesht, në një të ardhme të shkurtër, Komuna e Butelit të jetë komuna pas Bërvenicës, komuna shqiptare.
Sepse, jo që duam t’ia marrim të drejtën dikujt të menaxhojë me komunën, por thjesht, kur shumica janë të një etnie, sigurisht se shumë më lehtë do ta kesh komunikimin me kryetarin e komunës shqiptar sesa maqedonas”, deklaroi deputeti i ASH-së, Rijad Shaqiri.


