Kryeministri shqiptar Rama beson se bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se mendon që bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se nuk ka arsye për mospajtime me Bullgarinë lidhur me këtë çështje, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), Rama theksoi se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut buron nga marrëveshja ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, e arritur me ndërmjetësimin e Francës.

I pyetur nëse ende ekziston ndonjë arsye për mospajtim me udhëheqjen bullgare, duke pasur parasysh se para tre vjetësh kishte deklaruar se nuk pajtohej plotësisht me Sofjen, Rama u përgjigj se rrethanat në atë kohë ishin të ndryshme.

“Jo. Jo, sepse atëherë, siç ju kujtohet, bëhej fjalë për situatën para të ashtuquajturës marrëveshje ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të arritur me ndërmjetësimin e Francës. Mendoj se tani nuk ka arsye për mospajtime, pasi nevoja që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është plotësisht e qartë. Kjo buron nga marrëveshja ndërmjet dy vendeve”, tha Rama.

Ndryshe, Maqedonia së Veriut dhe Bullgaria gjenden në mosmarrëveshje në lidhje me çështjet e identitetit, gjuhës dhe interpretimit të historisë së përbashkët. Bullgaria kërkon përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si kusht për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.