Gazetari Benjamin Arifi, i afërt me VLEN-in dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, ka kritikuar ashpër skenën politike shqiptare, duke përfshirë VLEN-in dhe partitë që kanë qenë në pushtet që nga viti 2001.
Arifi paralajmëron se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme mund të jetë shumë e ulët, ndërsa si zgjidhje sheh krijimin e një force të re politike, të përbërë nga studentë apo intelektualë pa bagazh politik.
“Definitivisht në këto kushte, dalja në zgjedhjet e ardhshme në vendbanimet shqiptare do të jetë nën 30%.”
Sipas tij, qytetarët e pakënaqur me VLEN-in nuk shohin alternativë as te partitë që kanë qenë për më shumë se dy dekada në pushtet.
“Ata që nuk janë të kënaqur me VLEN-in, nuk shohin ardhmëri e as alternativë te një elitë politike që ka pas pushtet mbi 20 vjet dhe vazhdon të sillet në vend.”
Arifi konsideron se një frymë e re politike do të kishte hapësirë të madhe për të përfaqësuar qytetarët e zhgënjyer.
“Një frymë e re, nga njerëz të pastër e pa bagazh, do të kishte shumë hapësirë për ta përmbushur boshllëkun opozitar.
Ai thekson se mbi 50 për qind e shqiptarëve, sipas anketave që u referohet, deklarohen se nuk mbështesin asnjë parti politike ose nuk do të dalin në zgjedhje.
Në fund, gazetari ngre dilemen nëse ndryshimi mund të vijë nga studentët apo nga një listë e intelektualëve.
“Çështja është kush ka guxim e vullnet ta rikthejë shpresën te kjo kategori njerëzish. A do të jenë studentët, apo ndonjë listë intelektualësh, do ta tregojë koha”, ka shkruar Arifi.


