Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, lidhur me vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se bëhet fjalë për një vendim të gjykatës.
Cassis ka vlerësuar se vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk është politik. Kjo, pavarësisht kritikave se gjatë gjashtë vjetëve të procesit gjyqësor mungesa e transparencës ka qenë një nga shqetësimet kryesore, si dhe faktit se në proces janë pranuar edhe prova nga Serbia.
“Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton këto vendime. Sepse është vendim i gjykatës dhe nuk është vendim politik, prandaj Zvicra i pranon këto vendime”, deklaroi shkurt Cassis gjatë një konference të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca.
5 nëntori i këtij viti shënoi gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor 2020.
Gjykata Speciale, pas një procesi të gjatë gjyqësor, mori vendim dënues, duke shqiptuar gjithsej 81 vjet burgim. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Krasniqi me 25 vjet, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Në Kosovë u organizuan protesta përmes të cilave u kërkua ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Pas 21 ditësh protestash, ky ligj u miratua në Kuvend, mirëpo presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu sërish për rishqyrtim, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte edhe iniciuese e ndryshimeve të propozuara.
Në rast se ndryshimet në ligj nuk përmbyllen brenda 30 ditësh, është paralajmëruar vazhdimi i protestave para institucioneve të vendit.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se është në konsultime me Qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.


