Rënia e ndjeshme e çmimit të naftës pas rezultateve të zgjedhjeve afatmesme në SHBA lidhet me pritshmëritë e tregjeve për një rikthim të diplomacisë mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Kështu vlerëson Bill Farren-Price, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Oksfordit për Studime të Energjisë, sipas të cilit tregjet po reflektojnë bindjen se mundësia e një zgjidhjeje diplomatike mes dy vendeve është rikthyer.
Megjithatë, eksperti paralajmëron se optimizmi mund të jetë i parakohshëm. Sipas tij, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë tepër të ndërlikuara dhe gjatë muajve të fundit janë shfaqur disa herë pritshmëri të ngjashme, pa arritur në një marrëveshje përfundimtare.
Farren-Price thekson gjithashtu se Teherani do të kërkojë përfitime maksimale në këmbim të rihapjes së plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe garantimit të lundrimit të lirë për anijet tregtare.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Përmes saj kalon normalisht rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Shpërthimi i luftës në Iran shkaktoi ndërprerje të rënda të trafikut detar në këtë ngushticë, duke nxitur rritjen e ndjeshme të çmimeve globale të energjisë.
Tashmë, sinjalet për një rikthim të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ndikuar në pritshmëritë e tregjeve, por mbetet për t’u parë nëse përpjekjet diplomatike do të konkretizohen në një marrëveshje dhe nëse lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të rikthehet plotësisht në normalitet.


