Sa kushton riparimi i një veture elektrike?

Veturat elektrike mund të jenë më të lehta për t’u servisuar, por kur vjen puna te zëvendësimi i pjesëve rezervë, kostot mund të jenë mjaft të larta. Një analizë e re e kompanisë daneze Autoparts24 tregon se çmimet ndryshojnë ndjeshëm nga një markë në tjetrën, ndërsa dallimet në disa raste kalojnë trefishin.

Sipas analizës, Nissan dhe Opel janë markat me pjesët rezervë më të lira. Për sigurimin e 12 pjesëve të zakonshme të përdorura për këto vetura nevojiten rreth 1.070 euro.

Pas tyre renditen Renault, Citroën dhe Peugeot, me çmime që variojnë nga 1.123 deri në 1.170 euro.

Në anën tjetër, pronarët e veturave elektrike Jaguar, Audi, Polestar dhe BMW duhet të paguajnë dukshëm më shumë. Për 12 pjesët e analizuara, kostot për këto marka variojnë nga 2.000 deri në 2.274 euro.

Në krye të listës për pjesët më të shtrenjta qëndron Porsche. Për zëvendësimin e të njëjtave 12 pjesëve rezervë, pronarët e kësaj marke duhet të paguajnë pothuajse 3.470 euro.

Hulumtimi përfshiu çmimet e 250 mijë pjesëve rezervë të përdorura për vetura elektrike, ndërsa në analizë u shqyrtuan 12 pjesë të zakonshme, përfshirë pasqyrat anësore, dritat e pasme, parakolpët, kamerat e pasme, jastëkët e ajrit, frenat dhe amortizatorët.

Drejtori i Autoparts24, Troels Meier, thotë se teknologjia e avancuar që përmbajnë veturat elektrike ndikon drejtpërdrejt në çmimin e pjesëve rezervë. Ai veçon pasqyrat me sensorë dhe ndriçim të integruar, si dhe fenerët, zëvendësimi i të cilëve mund të kushtojë mijëra korona.

Sipas tij, blerësit gjatë zgjedhjes së një veture elektrike zakonisht përqendrohen te çmimi, autonomia dhe mundësitë e karikimit, por shpesh lënë anash shpenzimet e mundshme të riparimit.

Analiza është bazuar në rezervat e kompanisë Autoparts24, e cila ka rreth 250 mijë pjesë rezervë të përdorura për vetura elektrike. Çmimet janë llogaritur si mesatare për secilën markë, ndërsa të dhënat janë mbledhur në nëntor të vitit 2026.