Një operacion kibernetik spiunazhi, që kishte zgjatur gati pesë vjet, ka shënjestruar institucionet shtetërore të Bullgarisë. Grupet ndërkombëtare të hakerëve kishin arritur të depërtonin në sistemet informatike të administratës shtetërore, nga viti 2021 deri në gusht të vitit 2026, duke nxjerrë miliona dokumente zyrtare.
Sipas ministrit bullgar të Inovacionit dhe Transformimit Digjital, Ivan Vasilev, gjatë këtij operacioni janë marrë të paktën 130 gigabajt të dhëna, ekuivalente me më shumë se 62 milionë faqe dokumentesh. Hakerët, përveç nxjerrjes së dokumenteve, kishin monitoruar edhe shkëmbimin e informacioneve ndërmjet institucioneve qeveritare.
„Objektivat e sulmeve kibernetike ishin sistemet e shkëmbimit të dokumenteve qeveritare. Deri më tani, nuk janë gjetur prova se të dhënat personale të qytetarëve bullgarë janë komprometuar“, deklaroi Vasilev.
Ndërhyrja u zbulua në gusht të këtij viti, përmes sistemit të ri kombëtar të monitorimit të sigurisë kibernetike. Pas zbulimit, autoritetet formuan një grup ndërinstitucional, ku përfshiheshin Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, shërbimet e inteligjencës dhe institucione të tjera, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Ministri Vasilev bëri të ditur se tashmë janë përfunduar të tria fazat e planit të reagimit: vlerësimi i përmasave të sulmit, izolimi i sistemeve të komprometuara dhe largimi përfundimtar i hakerëve nga rrjetet qeveritare.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse grupet e përfshira kanë vepruar në mënyrë të pavarur, në koordinim me njëri-tjetrin apo në emër të qeverive të huaja dhe agjencive të inteligjencës.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se për çfarë qëllimi janë përdorur dokumentet e vjedhura. Autoritetet bullgare kanë nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar se si ndërhyrja arriti të mbetej e pazbuluar për gati pesë vjet, ndërsa çështja i është përcjellë edhe Prokurorisë.


