Duhani i Maqedonisë së Veriut veçohet si një nga më konkurruesit në rajon, veçanërisht kur merren parasysh së bashku çmimi i tregut dhe subvencionet shtetërore për fermerët, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonimisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Sali Murati nga “Fronti Evropian”, nëse shteti garanton klasifikimin dhe çmimin e ofruar të blerjes së duhanit, i cili akuzoi për selektivitet dhe vlerësim qëllimisht më të ulët, Serafimovski njoftoi se dje zyrtarisht ka filluar blerja e parakohshme e duhanit për prodhimin e vitit 2026, megjithëse afati ligjor për fillimin e blerjes në të gjitha 334 qendrat e regjistruara të grumbullimit në Maqedoni është jo më vonë se 15 dhjetori.
Sipas Serafimovskit, prodhimi i sivjetëm i duhanit vlerësohet në rreth 26 deri në 30 milionë kilogramë, i kultivuar në një sipërfaqe prej afërsisht 15.100 hektarësh, që paraqet rritje në krahasim me vitin e kaluar dhe cilësi jashtëzakonisht të lartë.
“Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit kemi rritje dhe mund të themi se cilësia e duhanit është në një nivel të shkëlqyeshëm. Kjo cilësi e duhanit, së bashku me çmimin, na bën ndër më konkurruesit në rajon. Nëse i ndiqni analizat e çmimeve të duhanit, do të vëreni se duhani ynë ka çmimin më të mirë në rajon, krahasuar me të gjithë prodhuesit e duhanit oriental, nëse merren së bashku çmimi dhe subvencionet që marrin fermerët”, shpjegoi Serafimovski.
Serafimovski theksoi se, në bazë të rekoltës e cila është pritur nga ana e kultivuesve të duhanit dhe vlerësimeve të kompanive, shifrat tregojnë se i gjithë duhani që do të prodhohet këtë vit do të blihet.
“Kemi rreth 18.000 kultivues të duhanit, të cilët kanë lidhur mbi 30.000 kontrata me kompanitë. Bëhet fjalë për 10 kompani që kanë licencë pune dhe janë të regjistruara për blerjen e duhanit. Sipas të dhënave, janë lidhur kontrata për rreth 31,5 milionë kilogramë, gjë që garanton se i gjithë duhani i prodhuar do të blihet”, deklaroi Serafimovski.


