Këto ditë, në mediat maqedonase po zhvillohet një fushatë e ashpër sulmesh ndaj kampit politik shqiptar, duke e etiketuar si pararojë të nacionalizmit, vetëm pse ka bërë thirrje për të votuar kandidatin shqiptar të AKI-së në Bërvenicë.
Sikur të mos mjaftonin këto sulme, të njëjtin qëndrim e shprehu edhe kryeministri i RMV-së, i cili, në rolin e tij si kryeministër i një shteti që pretendon të jetë qytetar, partnerin e tij qeveritar VLEN, e cilësoi si „kalë Troje“.
Këto akuza do të kishin sadopak bazë nëse kryeministri do të kishte dëshmuar me vepra se beson vërtet në parimet qytetare dhe meritokratike. Do të ishte bindëse kjo ofertë nëse partia e tij do të kishte kandiduar një shqiptar, të cilin ata e konsiderojnë „meritokrat“, për kryetar të një komune me mbi 65% popullsi shqiptare.
Do të më bindnin edhe më shumë për këtë qasje qytetare e meritokratike sikur para një viti të kishin kandiduar shqiptarë në Kërçovë, Butel, Gazi Babë, në Qytetin e Shkupit, Mavrovë, Kumanovë, Çashkë e në komuna të tjera ku jetojnë shqiptarët.
Në fund të fundit, mbi çfarë baze e dinë mediat maqedonase dhe kryeministri Mickoski se kandidati i AKI-së nuk është i denjë dhe se fitoren e ka arritur vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike?
Nëse vërtet synoni të testoni aftësitë dhe meritën e tij, atëherë si qeveri e keni për obligim që Bërvenicës t’i ofroni projekte kapitale dhe mbështetje konkrete. Le të dëshmohet me punë nëse Arkinit i takon apo jo besimi për të qenë kryetar i të gjithë qytetarëve të Bërvenicës, pa dallim etnie.
Bojkotimi dhe sulmet politike nuk e ndihmojnë askënd. Përkundrazi, ato rrezikojnë ta vështirësojnë edhe më shumë jetën e qytetarëve të Bërvenicës, të cilët kanë nevojë për zhvillim, investime dhe kushte më të mira jetese, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Nëse vazhdoni me këtë qasje anakronike të sulmeve politike dhe mediatike, mos u çudisni që në zgjedhjet e ardhshme të humbni jo vetëm Kërçovën, por edhe Butelin dhe shumë komuna të tjera.


