Hoxha-Gecova: Thellimi i bashkëpunimit me Çekinë në fushën e mjedisit

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës së Çekisë në Maqedoninë e Veriut, Irena Gecova, ku u diskutuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit bilateral, me fokus të veçantë në mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës, veçanërisht në fushat e menaxhimit të mbeturinave, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe kontrollit të ndotjes industriale.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Çekisë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për rolin aktiv të Ambasadës Çeke në Shkup në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e mjedisit jetësor.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të njohurive dhe realizimit të aktiviteteve konkrete me interes të përbashkët.