Rishikimi i dytë i buxhetit para deputetëve, opozita me kritika: Vetëm dy muaj pas rishikimit të parë, rishikohet sërish arka e shtetit

Rishikimi i buxhetit për vitin 2026 është një reagim në kohë ndaj rrethanave të reja ekonomike, pasojave të pasigurisë globale dhe efekteve të tyre në ekonominë vendase. Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke arsyetuar nevojën për rishikimin e buxhetit. Ajo theksoi se deri në fund të vitit arka e shtetit është stabile dhe se ka mjete për paga, pensione dhe detyrime të tjera.

“Rishikimi i plotësuar nuk erdhi si pasojë e problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por është rezultat i masave të ndërmarra nga Qeveria për uljen e TVSH-së dhe akcizës për benzinën dhe naftën dizel. Masa këto që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në anën e të hyrave të Buxhetit, por është e rëndësishme që me masa të tilla e mbështesim standardin e qytetarëve dhe e ndihmuam ekonominë, përkatësisht e parandaluam bartjen e çmimeve të larta të naftës te produktet dhe shërbimet e tjera”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska

Nga opozita pati kritika. Dimitar Kovaçevski nga LSDM-ja thotë se rishikimi i dytë i buxhetit, i dorëzuar vetëm dy muaj pas të parit, ngre çështje serioze për cilësinë e planifikimit buxhetor.

“Ky rishikim i buxhetit nuk ofron përgjigje bindëse ndaj sfidave ekonomike, por përkundrazi, tregon dobësi në planifikim, deficit të lartë dhe ulje të mjeteve për programet zhvillimore dhe investimet kapitale. Do të ndalem në disa aspekte kyçe. Së pari, shifrat tregojnë se deficiti mbetet i lartë, ndërsa investimet zhvillimore po zvogëlohen, duke dëshmuar kundërthënien themelore të këtij rishikimi të buxhetit”, tha Dimitar Kovaçevski.

Mecinoviqi nga E Majta e quajti cirk seancën për rishikimin e buxhetit, duke akuzuar se pushteti e përdor buxhetin vetëm për përfitimet e veta.

“Konsideroj se debati me shumicën, në këtë moment kur shumica do ta miratojë rishikimin e dytë të buxhetit, nuk ka asnjë qëllim, sepse kjo është vetëm një cirk i shumicës. Opozita ka dorëzuar 124 amendamente për këtë rishikim të buxhetit dhe nuk është pranuar asnjë amendament. Qeveria e VMRO-DPMNE-së konkretisht i përdor buxhetet për avancimin e pozicionit të saj partiak”, tha Amar Mecinoviq.

Në mbrojtje të rishikimit të buxhetit dolën deputetët e pushtetit.

“Gjëja kryesore është se shteti ka hequr dorë nga diku 14, 15 apo 16 denarë për litër karburant. Këto janë të hyra të planifikuara në buxhetin shtetëror dhe është normale që kur qytetarët nuk paguajnë 117 denarë për karburant, por 94 denarë, ato mjete përmes buxhetit, në përputhje me ligjin, diku të shkurtohen e diku të shtohen dhe, si të thuash, të baraspeshohen”, tha Ljupço Prençov.

Në rishikimin e buxhetit, si në anën e të hyrave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve, shkurtohen nga 86 milionë euro. Nga kjo shumë, te të hyrat shkurtohen 62 milionë euro, vetëm për shkak të uljes së akcizave për çmimet e karburanteve. Javën e ardhshme pritet të fillojë edhe debati për buxhetin e ri për vitin 2027.