Përhapja alarmante e rimodelimit të brinjëve: “Doja një trup në formën e orës së rërës”

Procedura përfshin krijimin e frakturave në brinjë, pas së cilës pacientët duhet të mbajnë një korset të shtrënguar për tre muaj. Disa prej atyre që i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje estetike thonë se dhimbja është sikur të jenë “përplasur nga një autobus”. Pse po bëhet gjithnjë e më popullore?

Daniela Cesin ishte 14 vjeçe kur nisi të shqetësohej për pamjen e saj fizike. “Isha pak mbipeshë, ndaj fillova të ushtrohesha në shtëpi për të rënë nga pesha. Vura re ndryshimet në trupin tim, muskujt e barkut dhe të krahëve. Kjo më pëlqeu”, tregon ajo. Në moshën 31-vjeçare, kishte arritur trupin e hollë dhe të tonifikuar që dëshironte. Megjithatë, i mungonte ende diçka. “Doja të kisha atë formën e trupit si kitarë, me bel të hollë dhe ije të theksuara”.

Në gusht, Cesin udhëtoi nga Majami, ku jeton prej 15 vjetësh, drejt Venezuelës, vendlindjes së saj. Ajo synonte të kryente liposuksion dhe transferim të yndyrës në ije. Por, gjatë konsultës, kirurgu estetik konstatoi se ajo nuk kishte mjaftueshëm yndyrë për të kryer ndërhyrjen e planifikuar. Në vend të saj, i propozoi një procedurë të quajtur RibXcar, e cila përfshin rimodelimin e brinjëve.

Ndërhyrja konsiston në krijimin e frakturave të pjesshme në tri brinjët e poshtme, në secilën anë të trupit. Më pas, pacientja duhet të mbajë një korset për tre muaj, në mënyrë që brinjët të shërohen në pozicionin e ri dhe beli të marrë një formë më të ngushtë.

“Reagova menjëherë: ‘Jo, jo, jo! Nuk dua të bëj asgjë me brinjët’”, kujton ajo. Ideja e thyerjes së kockave pranë organeve jetësore i dukej shumë më e frikshme sesa zmadhimi i gjoksit, të cilit i ishte nënshtruar dhjetë vjet më parë, apo operacionet në hundë dhe qepalla, që kishte kryer dy vjet më parë. Për më tepër, nuk kishte dëgjuar kurrë për këtë procedurë.

Megjithatë, pas konsultës vendosi t’i besonte kirurgut. Ajo i kishte paguar tashmë biletat e udhëtimit dhe kishte marrë tri javë pushim nga puna si drejtoreshë e shitjeve.

Të nesërmen, pasi u vu nën anestezi të përgjithshme, kirurgu përdori ultratinguj për të lokalizuar brinjët. Ai bëri gjashtë prerje të vogla në shpinën e saj dhe përdori një pajisje vibruese për të krijuar fraktura të pjesshme në secilën brinjë. Kur u zgjua, Cesin kishte veshur një korse të zezë, me mekanizma anash që mundësonin shtrëngimin e saj sipas masave të dëshiruara.

Periudha e rikuperimit ka qenë e vështirë. Fillimisht, ajo e kishte të vështirë të ngrihej në këmbë apo të shtrihej pa ndihmë. Gjithashtu, ndiente dhimbje në zonat ku ishin bërë prerjet.

Gjatë javës së parë, pothuajse nuk arriti të flinte. “Trupi nuk përshtatet me asnjë pozicion, ndaj zgjohesha çdo orë”, tregon ajo.

Vështirësinë më të madhe e ka pasur gjatë ushqyerjes, pasi korseja duhet të mbahet 23 orë në ditë dhe i shkakton refluks acidi, pra kthimin e acidit të stomakut drejt ezofagut. Megjithatë, gjashtë javë pas operacionit, Cesin është e kënaqur me rezultatin. Perimetri i belit i është zvogëluar me tetë centimetra.

Cesin është njëra nga numri në rritje i grave që zgjedhin thyerjen e pjesshme të brinjëve për të arritur një bel shumë të hollë dhe forma të theksuara të trupit. Më parë, për këtë qëllim përdorej heqja e brinjëve, një ndërhyrje më e rrezikshme që zvogëlon mbrojtjen kockore të organeve si mëlçia dhe shpretka.

Kirurgu plastik rus, Kazbek Kudzaev, zbuloi në vitin 2017 se mund të arrinte rezultate të ngjashme estetike duke ndryshuar pozicionin e brinjëve. Ai përdori një pajisje për t’i dobësuar ato deri në krijimin e një frakture të pjesshme dhe më pas i mbajti në pozicionin e ri me anë të një korseti gjatë shërimit.

Që nga ajo kohë, kirurgë në vende të ndryshme, përfshirë Kolumbinë, Korenë e Jugut dhe Francën, e kanë përmirësuar teknikën. Sot, procedura zgjat rreth një orë, kryhet nën anestezi të përgjithshme dhe zakonisht nuk kërkon qëndrimin e pacientes në spital gjatë natës.

Megjithëse promovohet si një ndërhyrje jo shumë invazive, shumë gra të intervistuara për këtë artikull e kanë përshkruar gjendjen pas operacionit sikur të ishin “përplasur nga një autobus”.

Përveç kësaj, procedura mbart rreziqe serioze. Ato përfshijnë komplikime të zakonshme kirurgjikale, si reaksionet alergjike ndaj anestezisë, mpiksjen e gjakut, infeksionet e plagëve dhe grumbullimin e lëngjeve nën lëkurë. Ekzistojnë edhe rreziqe më specifike, si pneumotoraksi, kur ajri grumbullohet në hapësirën rreth mushkërive dhe shkakton kolapsin e tyre, si dhe hemotoraksi, kur gjaku grumbullohet në hapësirën ndërmjet murit të kraharorit dhe mushkërive. Të dyja mund të jenë fatale.

Rreziqet e larta

Sandip Hindocha, kirurg plastik konsulent në klinikën private në Harley Street të Londrës, shprehet skeptik për këtë procedurë. “Nëse një paciente do të vinte në klinikën time dhe do të më thoshte se dëshiron ta kryejë këtë ndërhyrje, do ta pyesja: ‘Pse dëshiron ta bësh këtë? Pse dëshiron të bësh një ndryshim kaq të përhershëm në trupin tënd?’”

Ai i referohet një studimi të botuar në revistën Plastic and Reconstructive Surgery, sipas të cilit, nga 2.351 pacientë që iu nënshtruan rimodelimit të brinjëve gjatë periudhës 2018–2024, 3.7 për qind patën komplikime.

“Ky nuk është një numër i vogël”, thotë ai. “Nëse do të kryenim një ndërhyrje për zmadhimin e gjoksit, nuk do të prisnim një përqindje të tillë komplikimesh”.

As Shoqata Britanike e Kirurgëve Plastikë Estetikë (BAAPS) nuk e mbështet këtë procedurë. Ish-presidentja e saj, Nora Nugent, thekson se ndërhyrja është relativisht e re dhe se ka pak të dhëna për rezultatet afatgjata. Ajo kërkon gjithashtu aftësi të specializuara në rimodelimin e trupit dhe përvojë në trajtimin e komplikimeve të mundshme.

Sipas saj, kirurgët plastikë në Mbretërinë e Bashkuar mund ta përfshijnë këtë procedurë në praktikën e tyre në të ardhmen, por aktualisht ajo nuk ofrohet nga kirurgët e kësaj shoqate.

Ndërhyrja zakonisht nuk u ofrohet grave cisgjinore mbi moshën 40-vjeçare, për shkak të rrezikut më të lartë të osteoporozës. Kjo sëmundje i dobëson kockat dhe rrit mundësinë që ato të thyhen plotësisht, në vend që të pësojnë vetëm fraktura të pjesshme.

Një tjetër problem është shtimi në peshë, i cili mund të ndryshojë sërish formën e trupit. Për këtë arsye, edhe shtatzënia mund të ndikojë në rezultatet e ndërhyrjes.

“Procedura duhet të kryhet nga një kirurg me shumë përvojë në këtë fushë”, thotë Hindocha, duke shtuar se do të ishte e përshtatshme që ndërhyrja të kryhej nga një specialist që merret edhe me rindërtimin e murit të kraharorit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kirurgët plastikë këshillohen t’u japin pacientëve të paktën dy javë kohë për të reflektuar mbi rreziqet dhe pasojat e mundshme përpara se të vendosin për një ndërhyrje estetike.

Hindocha shqetësohet se disa paciente po vendosin t’i nënshtrohen rimodelimit të brinjëve pa pasur kohë të mjaftueshme për të menduar, ndonëse ndryshimi është i përhershëm.

“Nëse vendos një implant dhe më vonë nuk e dëshiron më, në rastin më të keq mund ta heqësh”, shpjegon ai. Ndërsa brinjët janë pjesë e strukturës së trupit, të ngurtë dhe mbështetëse, të cilat nuk mund të rikthehen lehtësisht në gjendjen e mëparshme.

Gjatë historisë, idealet e bukurisë dhe përmasat e dëshiruara të belit kanë ndryshuar vazhdimisht. Nga shekulli XVI deri në shekullin XIX, korseja dhe shtrëngimi i fortë i belit u kthyen në simbole bukurie për shtresat e pasura, pasi veshjet kufizuese e bënin të vështirë punën fizike.

Në vitet 1920, beli i theksuar në formë ore rëre doli nga moda, por u rikthye më vonë me ndikimin e aktores Marilyn Monroe. Nga vitet 1960 deri në vitet 1990, u bë më popullore një siluetë e hollë dhe më pak e theksuar. Ndërsa në vitet 2010, format e theksuara trupore të familjes Kardashian u kthyen në një nga idealet kryesore të bukurisë.

Ndikimi nga rrjetet sociale

Në TikTok dhe Instagram po përhapen trupat shumë të hollë, ndërsa beli i ngushtë mbetet ideal bukurie. Këtij trendi i kontribuojnë veshjet modeluese, filtrat dhe videot e ushtrimeve, por tashmë reklamohen edhe operacione që premtojnë rezultate të përhershme.

Në korrik, dhjetë influencere australiane udhëtuan drejt Balit për një bashkëpunim me klinikën Snatched Waist, e specializuar në rimodelimin e brinjëve. Pas ndërhyrjeve, ato publikuan fotografi pranë pishinës, duke treguar belin e ngushtë.

Megjithatë, jo të gjitha rastet përfundojnë pa komplikime. Sophia, një grua transgjinore që iu nënshtrua ndërhyrjes në nëntor 2025, përfundoi në spital pasi 25 për qind e njërës mushkëri i ishte shembur. Ajo vuajti për javë të tëra nga dhimbjet dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Sophia e kishte zgjedhur operacionin për të bërë trupin më feminist, pasi e konsideronte formën e saj tepër të gjerë. Rezultati i parë nuk i përmbushi pritshmëritë, ndaj në shtator iu nënshtrua një ndërhyrjeje të dytë. Këtë herë, rikuperimi ishte më i dhimbshëm dhe ajo pati më shumë vështirësi në frymëmarrje.

Kirurgu Leif Rogers parashikon se ndërhyrjet për ndryshimin e strukturës së skeletit, përfshirë rimodelimin e brinjëve, shkurtimin e klavikulave dhe zgjerimin e legenit, do të bëhen më të zakonshme. Sipas tij, përmirësimi i teknikave kirurgjikale dhe marketingu në rrjetet sociale po nxisin këtë trend.

Rogers përmend edhe ndikimin e familjes Kardashian në ndryshimin e idealeve të bukurisë. Ndërsa Kim Kardashian ndihmoi në popullarizimin e vitheve të theksuara, humbja e saj e mëvonshme në peshë përkoi me rikthimin e modës për trupat e hollë. Në vitin 2022, dobësia ekstreme u promovua sërish, ndërsa Ozempic u përhap si mjet për humbjen e peshës. Në TikTok, përdoruesit nisën të matnin belin me fletë A4 dhe telefona për të treguar përmasat e tyre.

Heather Widdows, profesoreshë e filozofisë dhe autore e librit “Perfect Me”, thotë se shoqëria ka kërkuar gjithmonë sakrifica në emër të bukurisë. Por, sipas saj, sot ndërhyrjet estetike po normalizohen gjithnjë e më shumë dhe po paraqiten si pjesë e kujdesit të zakonshëm për veten. Si pasojë, ata që nuk i ndjekin këto standarde mund të perceptohen si të ndryshëm nga norma.

Ky ndryshim lidhet edhe me rolin gjithnjë e më të madh të imazhit në shoqëri. Ndërsa kultura pamore po zë vendin e kulturës së bazuar te teksti, pamja fizike po bëhet pjesë thelbësore e identitetit. “Kush jemi, po përcaktohet gjithnjë e më shumë nga mënyra si dukemi”, thekson Widdows. Sipas saj, pamja po bëhet mënyra kryesore përmes së cilës prezantohemi dhe e perceptojmë veten.

“…Nuk do të bëj më operacione”

Elizabeth Rivera u stërvit intensivisht në palestra profesionale për të arritur trupin në formë X, me shpatulla të gjera, vithe të theksuara dhe bel të hollë. Ajo e konsideronte këtë pamje tregues të shëndetit dhe disiplinës, por stërvitja e tepërt nisi t’i shkaktonte probleme shëndetësore.

Rivera, 35 vjeçe, është masazhatore e licencuar dhe vuan nga lipedema, një sëmundje kronike që shkakton grumbullim jonormal dhe shpesh të dhimbshëm të yndyrës. Pasi kuptoi se nuk mund ta ndryshonte trupin vetëm përmes ushtrimeve, vendosi t’i nënshtrohej rimodelimit të brinjëve për të pasur bel më të hollë dhe forma më të theksuara.