Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani përmes një postimi në profilin e tij në mëngjesin e sotëm ka ndarë gëzimin e suksesit të togerit mr. Rexhep Mustafovski i cili u nderua “Mirënjohjet iu ndanë më 10 nëntor 2026 nga rektori, prof. dr. Dejan Mirakovski, për rezultatet e arritura gjatë vitit 2025 përmes dy punimeve shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science”, shkruan Top24
Postimi i plotë i zëvendësministrit Admir Shabani:
DY MIRËNJOHJE PËR KONTRIBUT SHKENCOR – KRENARI PËR AKADEMINË USHTARAKE DHE SEKTORIN E MBROJTJES!
Dija, përkushtimi dhe profesionalizmi janë vlera që ndërtojnë të ardhmen e mbrojtjes sonë!
Me kënaqësi të veçantë ndaj suksesin e togerit mr. Rexhep Mustafovski, asistent në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup, i cili në moshën vetëm 27-vjeçare është nderuar me dy mirënjohje vjetore për kontribut shkencor nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip.
Mirënjohjet iu ndanë më 10 nëntor 2026 nga rektori, prof. dr. Dejan Mirakovski, për rezultatet e arritura gjatë vitit 2025 përmes dy punimeve shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science.
Punimet e vlerësuara trajtojnë fusha të rëndësishme të mbrojtjes bashkëkohore:
Inteligjencën artificiale në sistemet ushtarake, me fokus në mbështetjen e proceseve komanduese, të personelit dhe logjistikës.
Doktrinën dhe taktikën ushtarake, me fokus në përdorimin e njësive kundërblinduese në operacionet mbrojtëse.
Ky vlerësim e rendit Rexhepin ndër të parët nga stafi akademik i Akademisë Ushtarake që marrin mirënjohje të këtij karakteri, duke dëshmuar potencialin e studiuesve dhe oficerëve të rinj.
Urime Rexhepit për këtë arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale!
Si zëvendësministër i Mbrojtjes, e konsideroj të rëndësishme njohjen dhe mbështetjen e arritjeve shkencore të kuadrove tona, sepse një Armatë moderne ndërtohet jo vetëm me pajisje dhe teknologji, por edhe me dije, inovacion dhe profesionistë të përgatitur.
Suksesi i të rinjve tanë është sukses për të ardhmen e institucioneve tona!


