Forcat opozitare në Izrael kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt formimit të një qeverie të re, me synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, dhe kreu i partisë së majtë Demokratët, Yair Golan, kanë arritur të enjten një marrëveshje për bashkëqeverisje, e cila parashikon ndarjen e posteve ministrore dhe përcaktimin e prioriteteve të koalicionit të ardhshëm.
Sipas marrëveshjes, Demokratët do të drejtojnë katër ministri: Sigurinë Kombëtare, me kompetenca të zgjeruara, Punën dhe Mirëqenien, Komunikacionin, si dhe Kulturën dhe Sportin. Partia do të marrë gjithashtu përgjegjësi në fushën e barazisë sociale.
Marrëveshja parashikon edhe drejtimin nga Demokratët të Komisionit të Kushtetutës, Ligjit dhe Drejtësisë në parlamentin izraelit, si dhe përfaqësimin e tyre në Komitetin për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve.
Ndër angazhimet kryesore të palëve është anulimi i reformës në drejtësi dhe garantimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Dakordësia u arrit pas rifillimit të negociatave, të cilat Golan i kishte pezulluar të martën, në shenjë kundërshtimi ndaj kontakteve të Eisenkot me partinë Likud të Netanyahut për mundësinë e krijimit të një qeverie të unitetit kombëtar.
“Me këtë marrëveshje po hapim rrugën për t’i dhënë fund qeverisë së Netanyahut dhe për të shpëtuar demokracinë izraelite”, thuhet në deklaratën e Demokratëve.
Kjo është marrëveshja e dytë politike e arritur nga Eisenkot në kuadër të përpjekjeve për formimin e një qeverie të re, pas dakordësisë me partinë Yisrael Beiteinu, të drejtuar nga Avigdor Lieberman.
Megjithatë, sigurimi i shumicës parlamentare mbetet sfida kryesore e opozitës. Blloku i drejtuar nga Eisenkot dhe aleatët e tij të mundshëm disponojnë 48 nga 120 mandatet e Knessetit, ndërsa kampi i Netanyahut ka 53 mandate. Për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 vota.
Eisenkot, i mandatuar nga presidenti Isaac Herzog për formimin e qeverisë, vijon negociatat me forcat e tjera politike, përfshirë partitë ultraortodokse, në përpjekje për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.


