KF Shkëndija – Haraçinë mohon hetimet e UEFA-s për manipulim të ndeshjeve, paralajmëron padi

KF Shkëndija 77 – Haraçinë ka reaguar pas publikimit të një artikulli nga portali “Info Sport mk”, në të cilin pretendohet se UEFA ka hapur procedurë hetimore lidhur me manipulimin e rezultateve të ndeshjeve ndërmjet Shkëndijës 77 – Haraçinë dhe Bashkimit – Kumanovë.

Në reagimin zyrtar, klubi i ka kundërshtuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se deri në momentin e publikimit të demantit nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar, komunikim elektronik apo dokument nga UEFA ose Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhur me këtë çështje.

Sipas klubit, publikimi i pretendimeve të tilla pa prova konkrete dhe dokumentacion zyrtar cenon reputacionin, dinjitetin dhe integritetin sportiv të klubit, futbollistëve dhe drejtuesve të tij.

Shkëndija 77 ka kërkuar nga redaksia e portalit “Info Sport” të paraqesë bazën faktike të pretendimeve, ndërsa në mungesë të saj të tërheqë dhe korrigjojë menjëherë informacionin, si dhe të publikojë demantin e klubit.

Njëkohësisht, klubi ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave juridikë, përfshirë ngritjen e padisë civile ndaj portalit dhe personave përgjegjës për publikimin, me kërkesë për përgjegjësi ligjore dhe kompensim të dëmit të shkaktuar.

“KF Shkëndija 77 distancohet kategorikisht nga çdo formë e manipulimit të ndeshjeve dhe mbetet e përkushtuar ndaj ndershmërisë, transparencës dhe respektimit të rregulloreve të FFM-së, UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në reagimin e klubit.

Në fund, Shkëndija 77 thekson se mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet kompetente për mbrojtjen e integritetit të futbollit, duke nënvizuar se reputacionin dhe historinë e klubit do t’i mbrojë me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.