Kaos në tribunë, përleshje mes tifozëve të Beshiktashit dhe policisë në Gjeorgji

Ndeshja e Ligës së Evropës mes skuadrës turke Beshiktash dhe ekipit izraelit Hapoel Beer-Sheva u ndërpre për 30 minuta të enjten, pasi policia ndërhyri në tribunat e stadiumit, raportojnë mediat turke.

Takimi po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, për arsye sigurie, ndërsa gjyqtari Morten Krogh e ndërpreu lojën në minutën e 26-të. Sipas UEFA-s, ndeshja rifilloi pas një pauze prej 30 minutash.

Sipas televizionit turk NTV, policia gjeorgjiane hyri në tribuna dhe përdori sprej piperi ndaj tifozëve të Beshiktashit.

Raportimi shton se tifozët turq brohoritën kundër Izraelit, ndërsa lojtarët e Beshiktashit dhe drejtori sportiv i klubit, Onder Ozen, biseduan me ta në përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të mundësuar vazhdimin e ndeshjes.

Para rifillimit të takimit, lojtarët e Beshiktashit dhe ekipi i arbitrave u larguan nga fusha.