Ndërtimi i bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë, rreth 30 objekte do të rrënohen

Rreth 30 objekte pritet të rrënohen për të mundësuar vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Projekti, parasheh zgjatjen e bulevardit nga Shkolla e Mesme Tekstile deri te rrethrrotullimi te Mema, konsiderohet tejet i rëndësishëm për lehtësimin e komunikacionit në këtë pjesë të qytetit. Qytetarët kërkojnë që punimet të nisin sa më shpejt, pasi rruga aktuale paraqet rrezik, veçanërisht për fëmijët që jetojnë në këtë lagje.

“Është shumë e rëndësishme, sepse ka shumë ngarkesë në komunikacion në këtë rrugë. Është paksa e rrezikshme dhe e frikshme, pasi në këtë lagje ka shumë fëmijë dhe çdo herë kemi frikë se mos ndodh diçka. Nëse realizohet edhe kjo pjesë, pasi një pjesë tashmë është realizuar nga kryetari i komunës, do të ishte shumë mirë që edhe pjesa tjetër të rregullohet dhe të hapet.”, u shpreh një qytetare.

“Është dashur të bëhet moti, jo tani. Këtu krijohet tollovi. Për fëmijët është problem, sepse ata janë të vegjël dhe nuk kanë kujdes të mjaftueshëm kur dalin në rrugë. Këtu ka shumë vetura.”, u shpreh një qytetar.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se përgatitjet për realizimin e projektit janë drejt përfundimit. Ai paralajmëroi se për hapjen e këtij aksi rrugor do të duhet të rrënohen rreth 28 deri në 30 objekte. Sipas tij, tashmë është siguruar leja për këtë pjesë, ndërsa aktualisht po punohet në vlerësimin e pronave.

“Po, ai projekt për atë rrugë ekziston. Janë bërë edhe elaboratet. Jemi në fazën përfundimtare të elaborateve për vlerësimin e tokës. Leja është siguruar për atë pjesë, domethënë jemi në fazën e vlerësimit të të gjitha pronave dhe pastaj të vazhdojmë me fazat e mëtejshme të depërtimit dhe realizimit të saj. Sa i përket numrit të objekteve, nuk e di saktësisht tani, por diku rreth 28 deri në 30 objekte duhet të rrënohen aty.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndryshe, gjatë viteve të fundit në Tetovë janë hapur bulevarde të reja dhe janë rregulluar shumë rrugë dytësore. Megjithatë, vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska”, deri te rrethrrotullimi te Mema, mbetet një ndër projektet e rëndësishme infrastrukturore. Realizimi i tij pritet të krijojë një lidhje më të mirë rrugore dhe të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, duke ulur ngarkesën në këtë pjesë të qytetit.