“Kisha frikë nga skleroza”, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Milanit rrëfen betejën me depresionin: Shkova në terapi, çdo gjashtë muaj…

Ish-sulmuesi italian Alessandro Matri ka bërë një rrëfim të fortë për periudhën më të vështirë të jetës së tij, duke treguar problemet e shëndetit mendor dhe frikën e vazhdueshme se mund të vuante nga sëmundje të rënda.

Në një intervistë për televizionin Rai, ish-futbollisti 42-vjeçar, i cili ka luajtur me fanellat e Juventusit dhe Milanit, si dhe ka regjistruar shtatë paraqitje me kombëtaren italiane, zbuloi se gjatë karrierës kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike, e cila u shoqërua me ankth dhe hipokondri.

“Mendova se kisha ALS, mendova se kisha sklerozë të shumëfishtë. Shkova në terapi, tani jetoj me frikërat e mia”, rrëfeu Matri.

Ish-sulmuesi tregoi se momenti më i vështirë erdhi gjatë aventurës së tij te Milani, në sezonin 2013-2014. Ai nuk arriti të përballonte lehtësisht zhgënjimin nga paraqitjet e tij dhe filloi të izolohej, duke humbur gradualisht besimin te vetja.

“Fillova të jetoja keq, mbyllesha në shtëpi gjatë natës. Dështimin te Milani e përjetova si një humbje, u ndjeva si një barrë. Përvoja ime futbollistike kishte nisur të më rëndonte, humba vetëvlerësimin dhe besimin. U bëra i prekshëm dhe rashë në një rrugë depresioni të lidhur me hipokondrinë”, tregoi ai.

Matri pranoi se për një futbollist nuk është aspak e lehtë të flasë hapur për probleme të tilla, pasi ekziston perceptimi se lojtarët duhet të shfaqen gjithmonë të fortë dhe të pathyeshëm.

“Një futbollist mendon se është një superhero për njerëzit. Ka frikë të flasë për këto gjëra me trajnerin, shokët e skuadrës apo presidentin. Në këtë mënyrë, i mban të gjitha frikërat brenda vetes”, u shpreh ish-lojtari.

Ai theksoi se gjeti forcën për të kërkuar ndihmë falë mbështetjes së bashkëshortes së tij, Federica Nargi, dhe prindërve, të cilëve u tregoi për frikën se mund të vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Pata qetësinë dhe guximin t’i tregoja Federica-s dhe prindërve të mi se kisha frikë se mos kisha diçka. Ndihesha i përkujdesur dhe i mbrojtur, shkova në terapi dhe që atëherë jam ndier gjithmonë më mirë”, rrëfeu ai.

Edhe pse ka arritur të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e tij, Matri pranoi se disa frikëra vazhdojnë ta shoqërojnë. Ai kryen kontrolle mjekësore çdo gjashtë muaj dhe ka mësuar të bashkëjetojë me ankthin.

“Ende kam frikëra të vogla, bëj analiza çdo gjashtë muaj. Jetoj me këtë, por jam më mirë. Lindja e vajzave të mia më ndihmoi të shpërqendrohesha nga problemi”, përfundoi ish-sulmuesi italian.

Matri ka regjistruar 92 gola në Serie A, në mbi 300 ndeshje gjatë karrierës së tij, duke veshur fanellat e disa prej klubeve më të njohura italiane. Ky rrëfim i tij rikthen në vëmendje rëndësinë e shëndetit mendor në sportin profesionist dhe vështirësinë që kanë shumë sportistë për të folur hapur për problemet psikologjike.