Ministria e Punëve të Brendshme planifikon ta zgjerojë projektin “Qyteti i Sigurt” me kamera mobile për kontrollin e shpejtësisë, si dhe me pajisje të instaluara në automjetet policore, të cilat do të mund të regjistrojnë kundërvajtje në trafik edhe gjatë lëvizjes së tyre. Këtë e bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai theksoi se analizat e deritanishme kanë treguar se vendosja e kamerave vetëm në lokacione të paracaktuara nuk do të ketë efekt të mjaftueshëm parandalues. Qëllimi është që shoferët të jenë të vetëdijshëm se mund të kapen duke shkelur rregullat e trafikut, pavarësisht se ku qarkullojnë.
Toshkovski tha se do të punohet për identifikimin e të gjitha pikave kritike të trafikut në vend, si në zonat urbane, ashtu edhe në rrugët magjistrale dhe ekspres.
Më pas, në radhë është SPB Shtip, ku aktivitetet pritet të përfundojnë deri në fund të vitit. Pas saj, mbetet edhe territori i SPB Manastir, për përfshirjen e të cilit do të nevojiten më së shumti një muaj deri në një muaj e gjysmë.
Duke iu përgjigjur kritikave për projektin “Qyteti i Sigurt”, ministri u bëri thirrje qytetarëve të kenë parasysh se gjatë 15 viteve të fundit, në aksidente trafiku kanë humbur jetën më shumë se 2.000 persona.
Ai theksoi se aktivitetet për rritjen e sigurisë në trafik nuk do të përfundojnë me vendosjen e kamerave, por do të vazhdojnë edhe me masa të tjera që synojnë parandalimin e kundërvajtjeve dhe uljen e numrit të aksidenteve.


