Komuna e Çairit, në bashkëpunim me NP “Parqet dhe Gjelbërimi”, po intensifikon aktivitetet për zgjerimin e gjelbërimit urban dhe përmirësimin e hapësirave publike, me qëllim krijimin e një mjedisi më të pastër, më të gjelbër dhe më të mirëmbajtur për qytetarët.
Siç thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit, në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot u realizua mbjellja e drunjve të rinj përpara objektit të Komunës së Çairit, ndërsa përgjatë rrugës “Metodija Mitevski”, në Fushë Tophanë, u bë rregullimi dhe mbjellja e gjelbërimit në brezat rrugorë. Punimet u ndoqën nga afër nga kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Muhamed Murtezi dhe drejtori i NP “Parqet dhe Gjelbërimi”, Muamer Seferi.
“Këto ndërhyrje janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për mirëmbajtjen e gjelbërimit ekzistues, zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësimin e pamjes urbane të Çairit. Komuna e Çairit, në koordinim me ndërmarrjet publike kompetente, do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme edhe në lokacione të tjera, duke e konsideruar gjelbërimin dhe kujdesin ndaj hapësirave publike pjesë të rëndësishme të zhvillimit urban dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve”, thuhet në kumtesë.


