Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ka dorëzuar në Komisionin Evropian për mendim Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin për Procedurën Penale, duke shënuar një hap të rëndësishëm në reformimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë penale.
Kodi i ri Penal vjen pas më shumë se 30 vitesh dhe synon harmonizimin e legjislacionit vendor me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare. Përgatitja e tij filloi në vitin 2019, ndërsa procesi u udhëhoq nga një grup ekspertësh nën drejtimin e akademikut Vllado Kambovski. Gjatë konsultimeve u shqyrtuan mbi 50 mendime dhe propozime, ndërsa në tekst janë përfshirë 33 direktiva relevante të BE-së.
Paralelisht, është përgatitur edhe Ligji i ri për Procedurën Penale, i cili synon tejkalimin e mangësive të ligjit aktual të vitit 2010. Projektligji, i hartuar nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga prof. dr. Gordana Lazhetiq, parasheh harmonizimin me 25 direktiva dhe standarde të BE-së.
Ndryshimet përfshijnë fusha thelbësore të drejtësisë penale, si konfiskimi i pasurisë, mbrojtja e viktimave, provat elektronike, masat e posaçme hetimore, hetimet financiare, administrimi i provave në distancë dhe përmirësimi i procedurave gjyqësore.
Procesi i hartimit të të dy ligjeve është zhvilluar përmes konsultimeve të gjera me gjyqësorin, prokuroritë, avokatinë, komunitetin akademik, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Misionit të OSBE-së në Shkup.
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të agjendës së reformave, po avancon procesin e harmonizimit të legjislacionit penal me standardet evropiane dhe përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Agjenda Reformuese.
Synimi i reformës është ndërtimi i një sistemi të drejtësisë penale më efikas, transparent dhe të drejtë, me mekanizma më të fuqishëm kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, mbrojtje më të mirë të viktimave dhe zbatim të barabartë të ligjit.


