Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përkujtuar viktimat e ngjarjeve të 6 nëntorit 1992 në Bit Pazar, ku katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë protestave dhe ndërhyrjes së policisë.
Në 34-vjetorin e këtyre ngjarjeve, Mexhiti bëri të ditur se, në emër të Komunës së Çairit, janë vendosur kurora me lule në nderim të katër viktimave.
Ai e cilësoi 6 nëntorin si një pikë kthese në angazhimin qytetar të shqiptarëve për barazi dhe respektimin e të drejtave të tyre.
“Në këtë përvjetor, jemi pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe qytetarëve që i mbijetuan dhunës së asaj dite”, deklaroi Mexhiti.
Duke kujtuar sakrificën e brezave të mëparshëm, ai theksoi se përgjegjësia e institucioneve sot është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve, por edhe garantimi i barazisë për të gjitha komunitetet.
“Të gjitha komunitetet meritojnë që të drejtat e tyre të respektohen dhe të garantohen në mënyrë të barabartë. Barazia duhet të shihet çdo ditë në mënyrën se si institucionet i trajtojnë, i mbrojnë dhe u shërbejnë qytetarëve”, u shpreh Mexhiti.
Në fund të mesazhit të tij përkujtimor, kryetari i Çairit theksoi: “I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të 6 nëntorit”.


