Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar punën dhe projektet e realizuara gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë, duke bërë të ditur se komuna ka realizuar 43 projekte infrastrukturore, me investime që tejkalojnë 646 milionë denarë.
Gjatë prezantimit para gazetarëve dhe qytetarëve, Kasami deklaroi se projektet infrastrukturore përfshijnë mbi 34 kilometra gjatësi ose 193.322 metra katrorë sipërfaqe.
“Realizuam 43 projekte infrastrukturore, që përfshijnë mbi 34 kilometra gjatësi ose 193.322 metra katrorë sipërfaqe, me vlerë prej 646.751.431,73 denarësh”, bëri të ditur Kasami.
Ai theksoi se gjatë këtij viti janë investuar edhe 195.839.942 denarë në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndërsa janë krijuar mbi 400 vendparkime të reja në qytet.
Sa i përket transportit publik, Kasami tha se afër 500 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar shërbimet e transportit publik të Tetovës gjatë periudhës njëvjeçare.
Në bilancin e prezantuar, kryetari i Tetovës përmendi edhe uljen e borxhit të komunës ndaj përmbaruesve, rritjen e pagave të zjarrfikësve për 30 për qind, si dhe rritjen prej 7 për qind të pagave të të punësuarve në komunë, për tri vite radhazi.
Kasami veçoi edhe digjitalizimin e shërbimeve komunale përmes aplikacionit “TE KLIK”, i cili, sipas tij, ka arritur mbi 12 mijë përdorues.
Ndër projektet e tjera të përmendura ishin rregullimi i parqeve pranë Xhamisë së Larme dhe Shkollës së Mesme Bujqësore, rikthimi në menaxhim komunal i tokave të uzurpuara, si dhe ndërtimi i stadiumeve dhe dy pishinave.
“Këto dhe shumë e shumë punë të tjera i realizuam, ndërsa edhe shumë punë të tjera na presin”, deklaroi Kasami, duke prezantuar prioritetet dhe punën e administratës komunale gjatë vitit të parë të mandatit të dytë.


