Mexhiti: Dita e Alfabetit na kthen te Manastiri i vitit 1908, por edhe te përgjegjësia që kemi sot!

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti sot mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Alfabetit”, të organizuar nga ITShKSh, ku në qendër të diskutimit ishte cilësia e teksteve shkollore në vendin tonë dhe përgjegjësia jonë për arsimin shqip, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit, shkruan Top24

Në këtë konferencë Mexhiti në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se “Si udhëheqës, kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet në shkolla dhe për të forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore e shkencore, që rekomandimet profesionale të gjejnë zbatim në mësimin e përditshëm. Brezi i Manastirit përmbushi detyrën e kohës së vet. Detyra jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi për të ecur përpara përmes dijes” përcjellë Top24

Postimi i plotë:

Dita e Alfabetit na kthen te Manastiri i vitit 1908, por edhe te përgjegjësia që kemi sot, se çfarë arsimi po u ofrojmë fëmijëve në gjuhën shqipe?
Këtë mesazh përcolla sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Alfabetit”, të organizuar nga ITShKSh, ku në qendër të diskutimit ishte cilësia e teksteve shkollore në vendin tonë dhe përgjegjësia jonë për arsimin shqip, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit.
Sepse një libër shkollor është ndër takimet e para të fëmijës me gjuhën e shkruar, shkencën dhe historinë. Ai duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i kuptueshëm, duke i nxitur nxënësit të arsyetojnë, të shtrojnë pyetje dhe të ndërtojnë mendimin e tyre.
Prandaj, hartimi, përkthimi dhe vlerësimi i teksteve kërkojnë punë serioze profesionale. Në këtë proces, përvoja e mësimdhënësve duhet të ketë rol të drejtpërdrejtë, krahas kontributit të pedagogëve, gjuhëtarëve dhe specialistëve të fushave përkatëse.
Si udhëheqës, kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet në shkolla dhe për të forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore e shkencore, që rekomandimet profesionale të gjejnë zbatim në mësimin e përditshëm.
Brezi i Manastirit përmbushi detyrën e kohës së vet. Detyra jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi për të ecur përpara përmes dijes.