Skema e plotë e përfshirjes së “Alta Bankës” në tre hapa dhe përgjigjja ndaj manipulimeve të panikut të BDI-së
Prej katër ditësh radhazi, në opinion po prezantojmë dokumente zyrtare, data të sakta dhe transaksione milionëshe, të cilat dëshmojnë se si krerët e BDI-së dhe familja e ngushtë e Ali Ahmetit e nisën dhe e mundësuan drejtpërdrejt hyrjen në Maqedoni të oligarkut kontrovers serb Davor Macura dhe të “Alta Bankës” nga Beogradi. Por, prej katër ditësh radhazi, nga Reçica e Vogël shohim vetëm panik, komunikata nervoze dhe ikje nga e vërteta. Sot po u japim një përgjigje të drejtpërdrejtë, të qartë dhe të dokumentuar, e cila i lidh të tre hapat e këtij operacioni milionësh të tyre:
“Alta Banka” hyri në Maqedoni si rezultat i një skeme kriminale të menduar mirë dhe me precizitet deri në detajet më të vogla. Organizata kriminale e përbërë nga ministrat e BDI-së – Artan Grubi, Bujar Osmani, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi, drejtpërsëdrejti, me paramendim, dhe me planifikim, kanë inicuar, kanë ndihmuar përmes ndikimit politik, kanë lehtësuar përmes pozicioneve në pushtet, dhe e kanë realizuar ndërmarrjen kriminale të shitjes së “Stopanska Banka SHA Manastir” tek “Alta Banka Serbi”! Dhe, si në çdo organizatë kriminale, qëllimisht është ndërtuar një skemë komplekse dhe juridikisht e vështirë për t’u zbërthyer, në mënyrë që të fshihen gjurmët ndërsa qytetarët të mos e kuptojnë në thelb si është realizuar ky operacion kriminalo-politik.
Fillimisht, Artan Grubi, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë, me nënshkrimin e tij, i nxjerr në shitje aksionet shtetërore dhe fillon të gjithë procedurën për tjetërsimin e “Stopanska Banka SHA Manastir”. Më pas, në vitin 2025, krushku i Ali Ahmetit, pronar i kompanisë “AS Senjak” – Selaudin Arifi, i blen këto aksione në mënyrë që më vonë, tërthorazi dhe me dy veprime- përmes një kompanie ku ai shfaqet si bashkëpronar, merr një kredi prej 5 milionë eurosh nga Beogradi, ndërsa më vonë ia shet një pjesë të aksioneve të tij nga banka e Manastirit Davor Macurës!
Ja kronologjia e plotë e kësaj skeme në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd, nga e cila BDI-ja nuk mund të shpëtojë me asnjë komunikatë partiake:
Hapi i parë (6 dhe 13 qershor 2023) – Krerët e BDI-së hapin rrugën në Qeveri:
Në mbledhjen e 158-të të Qeverisë, më 6 qershor 2023, në prani të Fatmir Besimit, Bujar Osmanit dhe Kreshnik Bekteshit, merret vendimi për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska Banka” SHA Manastir, të cilat ishin në pronësi të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar. Në “Gazetën Zyrtare” numër 123, të datës 13 qershor 2023, në Vendimin me numër 41-3733/8 figuron personalisht nënshkrimi i zëvendëskryeministrit të parë të atëhershëm nga BDI-ja, Artan Grubi!
Hapi i dytë (24 tetor 2024 dhe 9 qershor 2025) – Në lojë hyn krushku i Ahmetit me një kredi prej 5 milionë eurosh nga Beogradi:
Pasi Grubi, Besimi dhe Osmani, përmes institucioneve, krijuan mundësinë për shitjen e aksioneve të bankës, më 24 tetor 2024, kompania kërçovare “AS Senjak”, në pronësi të Selaudin Arifit, krushkut të Ali Ahmetit dhe partnerit të nipit të tij, Drin Ahmeti në rastin “Soravia”, blen një pako të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Banka” të Manastirit.Më pas, më 9 qershor 2025, një kompani në të cilën pikërisht “AS Senjak” është bashkëpronare, përfiton një kredi të drejtpërdrejtë ndërkufitare në vlerë prej plot 5 milionë eurosh, drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd!
Hapi i tretë (17 shtator 2025) – Krushku i Ahmetit ia shet aksionet në bankë Davor Macurës:
Vetëm tre muaj pas transferimit të pesë milionë eurove nga Beogradi, më 17 shtator 2025, kompania “AS Senjak” e krushkut të Ahmetit i shet zyrtarisht aksionet e saj në “Stopanska Banka” të Manastirit drejtpërdrejt Davor Macurës dhe “Alta Bankës” së tij!
Të nderuar qytetarë,
Nuk ka më asnjë dilemë: Alta Banka është dhuratë e ndërmarrjes kriminale të udhëheqësisë së BDI-së, e cila vjen si pasojë e projektit kontrovers “Ballkani i Hapur”, e që për qëllim ka dominimin politik dhe ekonomik të Serbisë ndaj vendeve të rajonit! Prandaj, në vend që të publikojnë komunikata boshe, të mbushura me fyerje, edhe një herë sot e ftojmë Ali Ahmetin që të dalë para opinionit publik dhe t’u përgjigjet pyetjeve të cilave tashmë prej një jave po u shmanget:
1. Pse në asnjë komunikatë të BDI-së nuk guxojnë ta përmendin emrin e kompanisë “AS Senjak” dhe të krushkut Selaudin Arifi?
2. Nëse BDI-ja vërtet ka qenë kundër hyrjes së “Alta Bankës” në Maqedoni, atëherë pse Artan Grubi në vitin 2023 e nënshkroi tjetërsimin e aksioneve shtetërore?
Sot, kur Davor Macura ndodhet në paraburgim në Serbi, ndërsa Banka Popullore ka vendosur administrim të përkohshëm në bankën e Manastirit për të mbrojtur sistemin tonë financiar, të gjitha maskat kanë rënë.
E vetmja ideologji e Ali Ahmetit, Artan Grubit, Bujar Osmanit dhe Fatmir Besimit janë milionat, pavarësisht nëse ato vijnë nga “Soravia” apo nga kreditë e oligarkëve të Beogradit.


