Emrat e rrugëve në Tetovë, LSDM dhe E Majta kundër propozimeve të reja

Partitë nuk po arrijnë gjuhë të përbashkët për emrat e rinj të rrugëve në Tetovë. Në Komisionin për emërtimin e rrugëve kontestohen rreth 100 emra rrugësh. LSDM-ja refuzon të delegojë anëtarë në Komision dhe thotë se kjo çështje nuk përbën prioritet.

“Qëndrimi ynë është parimor dhe pahamendje. Tetova nuk ka nevojë për emra të ri por për infrastrukturë funksionale, mjedis të pastër, ndërmarrje publike efikase dhe shërbime cilësore”, shprehen nga LSDM dega Tetovë.

Ndërkohë “E Majta” pasi e delegoi anëtarin e vet, e tërhoqi nga ky komision. Shkak për tërheqjen e Levicës, sipas informatave të televizionit Alsat, kanë qenë disa emra të propozuar që nuk janë pranuar nga ana e komisionit.

Por sa do të ndikoj kjo tërheqje e LSDM-së dhe Të Majtës në votimin e vendimit përfundimtar ku edhe nevojitet bandenter? Kreu i komisionit thotë se vota e tyre nuk mund ta pengojë procesin.

“Ju e dini se me koalicionin që e kemi në nivel lokal me VMRO-në pra tre këshilltarë  ne plotësojmë kërkesën e badenterit, por normal do ftojmë që këtë proces ta përkrahin të gjitha partitë madje edhe LSDM-në dhe Levicën, por edhe nëse ata ngurojnë ne numrat i kemi edhe vetëm, me VMRO-DPMNE-në. Këto parti apo grupacione politike e shfrytëzojnë këtë gjë për pikë politike dhe për nxitje të tensioneve ndëretnike”, deklaroi  Albi Qamili, Kryetar i komisionit për emërtim të rrugëve.

Sipas informatave të televizionit Alsat, kontest apo përplasje për çështjen e emrave të rrugëve ka pasur edhe mes partnerëve të koalicionit, VLEN dhe VRMO. Madje burime nga VMRO-ja, bëjnë të ditur se kontestues kanë qenë rreth njëqind emra, por që në fund është arritur një marrëveshje. Se cilat emra kanë qenë problematike nuk bëhet e ditur. Ditëve në vijim pritet që të mbahet edhe seanca e fundit e komisionit për emërtim të rrugëve, ku pritet të votohen edhe 40 emrat e fundit, për të kaluar më pastaj tek kontrolli juridik dhe gjuhësor para se të kalojnë në këshillin komunal për votim . Deri më tani nga mbledhjet e mbajtura të këtij komisioni, është vendosur për gjithsej 250 emra./Alsat.mk.