Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimin Publik, Bujar Sulejmani në Prizren me përfaqësuesit e rajonit, në fokus standardet evropiane dhe bashkëpunimi në prokurimin publik

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimin Publik, Bujar Sulejmani, ka udhëhequr delegacionin e këtij institucioni në Takimin e Rregullt të Rrjetit të Organeve të Kontrollit të Prokurimit Publik të Evropës Juglindore, i cili u mbajt në Prizren të Republikës së Kosovës.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e prokurimit publik nga vendet e Evropës Juglindore, me qëllim diskutimin e sfidave të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë.

Gjatë konferencës u zhvilluan katër panele diskutimi, ku në fokus ishin praktikat për uljen e numrit të ankesave në procedurat e prokurimit publik, vlerësimi i kornizave nacionale të kontrollit dhe mjeteve juridike, vendimmarrja e organeve të kontrollit në praktikë, si dhe bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të rrjetit rajonal.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua nevojës për avancimin e mekanizmave të kontrollit, rritjen e efikasitetit të procedurave dhe forcimin e sigurisë juridike në proceset e prokurimit publik.

Në përfundim të takimit, vendet anëtare të rrjetit u dakorduan që në të ardhmen të intensifikojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, duke krijuar më shumë mundësi për shkëmbimin e përvojave profesionale, konsultimet institucionale dhe harmonizimin e kornizave ligjore kombëtare me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrja dhe udhëheqja e delegacionit nga kryetari Bujar Sulejmani në këtë konferencë përbën një mundësi të rëndësishme për përfaqësimin institucional dhe kontributin në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe në avancimin e standardeve të prokurimit publik në përputhje me praktikat evropiane.

https://www.facebook.com/share/p/19nSWwrL1H/