Kampionia olimpike, Jutta Leerdam, merr një vit pushim, provon një sport të ri

Jutta Leerdam ka vendosur të bëjë një shkëputje nga patinazhi i shpejtësisë, pas suksesit të madh në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026. Patinatorja holandeze, 27 vjeçe, ka njoftuar përmes kanalit të saj të ri në YouTube se nuk do të marrë pjesë në asnjë garë gjatë sezonit 2026/27, duke shfrytëzuar këtë periudhë për të eksploruar aktivitete të tjera sportive.

Në Lojërat Olimpike të zhvilluara në shkurt, Leerdam fitoi medaljen e artë në garën e 1.000 metrave dhe medaljen e argjendtë në 500 metra, duke u shndërruar në një prej protagonisteve të mëdha të aktivitetit olimpik.

Gjatë periudhës së pushimit nga garat, kampionia olimpike ka nisur të provojë edhe sporte të tjera. Së fundmi, ajo është shfaqur në një fushë golfi, ku ka provuar këtë disiplinë. “Objektiva për të ardhmen”, shkroi Leerdam në përshkrimin e fotografisë së publikuar.

Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një kalim drejt karrierës profesionale në golf. Holandezja dëshiron të shfrytëzojë kohën e lirë për të provuar aktivitete që deri tani nuk kishte mundësi t’i përfshinte në rutinën e saj, për shkak të stërvitjeve intensive dhe angazhimeve të vazhdueshme në garat e patinazhit.

Aktualisht, Leerdam jeton në Porto Riko së bashku me të fejuarin e saj, influencuesin amerikan Jake Paul. Ajo i ndan ditët mes angazhimeve profesionale në Shtetet e Bashkuara dhe kohës së kaluar me familjen.

Pas fejesës së fundit, dasmës së vëllait në Sllovaki dhe udhëtimeve turistike në Itali e në zona malore, kampionia olimpike po shijon një periudhë larg presionit të garave. Për momentin, rikthimi në pistën e akullit mbetet i hapur, pa një datë të përcaktuar.