Google merr vendimin: Shkollat që bllokojnë inteligjencën artificiale do të humbasin edhe aksesin në motorin e kërkimit

Google ka vendosur të ndryshojë mënyrën e qasjes së nxënësve në mjetet e inteligjencës artificiale, duke ua lënë shkollave vendimin nëse do t’i lejojnë apo jo këto shërbime.

Sipas vendimit të ri, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, nxënësit nga kopshti deri në klasën e 12-të nuk do të kenë automatikisht qasje në mjetet e inteligjencës artificiale të Google. Për aktivizimin e tyre do të nevojitet miratimi i administratorëve të shkollave.

Ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga mësuesit dhe prindërit lidhur me ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin arsimor dhe mënyrën se si nxënësit e përdorin këtë teknologji.

Google bëri të ditur se kufizimet do të përfshijnë shërbime si Gemini, Gemini Notebook, Gemini in Classroom dhe Google Search, ndërsa qasja në to do të jetë e çaktivizuar për llogaritë shkollore të nxënësve, derisa administrata e shkollave të vendosë ndryshe.

Kompania thekson se ndryshimet janë rezultat i konsultimeve me shkollat, mësuesit, studiuesit dhe politikëbërësit.

“Ne besojmë se shkollat duhet të kenë kontroll mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në klasat e tyre dhe t’u ofrojnë administratorëve mjetet e nevojshme për të menaxhuar qasjen”, thuhet në deklaratën e Google.

Megjithatë, vendimi përmban edhe një kusht që mund të shkaktojë debat. Shkollat që vendosin ta bllokojnë plotësisht inteligjencën artificiale do të humbasin edhe qasjen në motorin e kërkimit Google Search, pasi kompania argumenton se kërkimi dhe inteligjenca artificiale janë tashmë të integruara ngushtë me njëra-tjetrën.

Chris Phillips, zëvendëspresident i Google për arsimin, ka konfirmuar se nxënësit në shkollat që zgjedhin këtë kufizim nuk do të mund ta përdorin as Google Search dhe do të njoftohen se shërbimi nuk është i disponueshëm.

Gjatë muajve të ardhshëm, Google pritet t’u dërgojë shkollave udhëzime dhe informacione shtesë për zbatimin e ndryshimeve.

Google është një nga kompanitë më të pranishme në sistemin arsimor amerikan, ku shërbimet e saj, përfshirë Gmail, Google Search dhe kompjuterët Chromebook, përdoren gjerësisht në shkolla.