Dy shtetas shqiptarë dyshohet se janë personat e arrestuar pas një incidenti në vilën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Britanisë së Madhe
Sipas artikullit të The Sun të cilit i referohet Top Channel, ata dyshohet se kanë hyrë në pronën mbretërore Anmer Hall, që ndodhet në kompleksin e Sandringham Estate.
Njëri prej tyre raportohet se ishte emigrant i paligjshëm në Britani, i cili kishte paraqitur më parë një kërkesë për azil, të cilës tashmë i kishte përfunduar afati. Ndërsa për statusin e personit tjetër nuk janë dhënë detaje.
Ngjarja u regjistrua në mbrëmje, të 23 nëntor, kur policia u njoftua për aktivitet të dyshimtë në pronë, rreth orës 18:00.
Në operacionin e kërkimit u angazhuan efektivë policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare britanike.
Dy burrat u arrestuan në territorin e pronës mbretërore, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paligjshme. Ata vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në vazhdim.
Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit prona ishte e pabanuar. Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre në Windsor.
Anmer Hall është një rezidencë, e cila iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Prona përdoret nga familja mbretërore kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve.


