Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë të re energjetike, po hap rrugë alternative të furnizimit dhe po forcon qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike. Këto procese janë pjesë e qasjes strategjike për rritjen e sigurisë energjetike, të cilën ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, e prezantoi në diskutimin e parë në panel, në kuadër të takimit të shtatë të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energjetikë (P-TEC) në Varshavë.
Në panelin ,”Forcimi i sigurisë energjetike evropiane: qëndrueshmëria e infrastrukturës kritike dhe diversifikimi i furnizimit”, Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi rajonal është përparësi kryesore, pasi asnjë vend nuk mund ta sigurojë sigurinë energjetike afatgjatë i shkëputur nga tregjet rajonale dhe ndërlidhjet infrastrukturore.
“Për tri dekada kishim vetëm një burim furnizimi me gaz natyror – përmes Bullgarisë. Megjithatë, monopoli nuk është zgjidhje e mirë, sidomos për një vend pa dalje në det. Prandaj vendosëm të sigurojmë alternativa”, theksoi Bozhinovska.
Ministrja theksoi se ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa tubacioni është përgatitur edhe për transportin e hidrogjenit. Paralelisht po punohet për lidhjen e gazit me Serbinë, e cila do t’i krijojë vendit mundësi të reja për qasje në tregjet rajonale dhe në burime shtesë furnizimi.
Në sektorin e energjisë elektrike, Bozhinovska njoftoi se po ndërmerren hapa për ndërlidhjen me Shqipërinë. Si hap të rëndësishëm drejt diversifikimit ajo përmendi edhe vënien sërish në funksion të naftësjellësit për transportin e derivateve të naftës me Greqinë, i cili nisi të punojë këtë vit pas 12 vitesh pasiviteti.
Duke folur për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike energjetike, ministrja theksoi se sfidat e reja të sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike dhe kërcënimet nga dronët, kërkojnë një qasje të ndryshme në planifikimin dhe menaxhimin e sistemeve energjetike.
“Janë shtetet ato që duhet të hartojnë politikat dhe legjislacionin, në mënyrë që sektori privat t’i zbatojë ato. Por nevojitet bashkëpunim i gjerë. Duhet t’i dëgjojmë investitorët dhe, njëkohësisht, ta mbrojmë infrastrukturën kritike”, theksoi Bozhinovska.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave në zinxhirët e furnizimit dhe afateve të gjata të pritjes për pajisjet kyçe energjetike. Bozhinovska theksoi se një investitor i interesuar për ndërtimin e një turbine me gaz e kishte marrë termin e parë të disponueshëm për dorëzim vetëm në vitin 2032, çka tregon seriozitetin e sfidës me të cilën përballen projektet energjetike.


