Gjashtë gjykata kushtetuese të Ballkanit miratojnë njëzëri Deklaratën e Ohrit

Gjashtë gjykata kushtetuese, anëtare të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF), miratuan njëzëri Deklaratën e Ohrit gjatë Takimit të Katërt Vjetor, i cili u mbajt nga 12 deri më 14 nëntor 2026 në Ohër, në organizim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i Deklaratës është të përcaktohen drejtime të përbashkëta për përforcimin e pavarësisë, transparencës dhe efikasitetit të gjykatave kushtetuese, rritjen e besimit të qytetarëve në gjyqësorin kushtetues, si dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive bashkëkohore dhe të inteligjencës artificiale në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës.

Dokumenti u miratua njëzëri nga kryetarët dhe përfaqësuesit e gjashtë gjykatave kushtetuese që janë anëtare me të drejta të plota të Forumit:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut;

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë;

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Bullgarisë;

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës;

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi;

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Turqisë.

Në Takimin Vjetor morën pjesë edhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ka statusin e vëzhgueses në Forum, si dhe përfaqësues të gjykatave nga Evropa, Azia dhe Afrika dhe të institucioneve e organizatave ndërkombëtare gjyqësore.

Tri shtyllat e besimit: pavarësia, transparenca dhe efikasiteti

Me Deklaratën e Ohrit, gjykatat kushtetuese angazhohen për përmirësimin e mëtejshëm të punës së tyre përmes:

– Përforcimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit profesional e personal të gjykatësve kushtetues;

– Përmirësimit të transparencës dhe hapjes ndaj qytetarëve;

– Informimit të rregullt të opinionit publik për aktivitetet dhe vendimet e gjykatave kushtetuese;

– Publikimit të kumtesave për vendimet gjyqësore në gjuhë më të kuptueshme për opinionin e gjerë publik;

– Mbajtjes së konferencave të rregullta për shtyp me gazetarët dhe komunikimit përmes mediave sociale;

– Vendimmarrjes në kohë për lëndët, brenda një afati të arsyeshëm, pa zvarritje të pajustifikuar të procedurave;

– Përdorimit të sistemeve bashkëkohore për menaxhimin e lëndëve dhe të mjeteve digjitale për funksionim më efikas të gjykatave.

Në Deklaratë theksohet se besimi i opinionit publik përbën parakusht themelor për autoritetin dhe legjitimitetin e gjykatave kushtetuese, ndërsa ai ndërtohet përmes vendimmarrjes së pavarur, të paanshme dhe profesionale, si dhe përmes vendimeve të arsyetuara në mënyrë cilësore dhe të bazuara në Kushtetutë.

Inteligjenca artificiale si mjet ndihmës, e jo zëvendësim i gjykatësve

Rëndësi e veçantë në Deklaratën e Ohrit iu kushtua edhe përdorimit të inteligjencës artificiale në gjyqësorin kushtetues.

Gjykatat kushtetuese janë dakord se qasja ndaj teknologjive të reja duhet të jetë e hapur, por e kujdesshme, duke pasur parasysh rreziqet juridike, etike dhe organizative që lidhen me përdorimin e tyre dhe efektet mbi të drejtat e qytetarëve.

Inteligjenca artificiale mund të kontribuojë në përpunimin më efikas të lëndëve, por nuk guxon ta zëvendësojë analizën e pavarur gjyqësore, arsyetimin juridik dhe vendimmarrjen e gjykatësve kushtetues.

Interpretimi i Kushtetutës, vlerësimi i argumenteve juridike dhe vendimmarrja përfundimtare për lëndët duhet të mbeten detyrë dhe përgjegjësi e gjykatësve.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi merr përsipër kryesimin e BCCF-së për vitin 2027

Në këtë takim, përveç miratimit të Deklaratës së Ohrit si dokument përfundimtar, u miratuan njëzëri edhe dy vendime të tjera:

-Dorëzimi i kryesimit të Forumit për vitin 2027 Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.

-Mbajtja e Takimit të Pestë Vjetor të Forumit në maj të vitit 2027 në Mal të Zi, në organizim të Gjykatës Kushtetuese të atjeshme.

Me organizimin e këtij eventi, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përmbylli kryesimin e saj të Forumit, duke lënë bazë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e standardeve për një gjyqësor kushtetues të pavarur, transparent dhe efikas.

Me miratimin e Deklaratës së Ohrit, u plotësua pjesa e punës së Takimit të Katërt Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në kuadër të të cilit u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Sfidat bashkëkohore të sundimit të së drejtës: Roli i gjykatave kushtetuese”.

Përmes tri sesioneve të punës, me pjesëmarrjen e më shumë se 20 folësve vendas e të huaj, u diskutuan çështjet e rritjes së besimit të qytetarëve në gjykatat kushtetuese dhe sfidat e gjyqësorit kushtetues në epokën digjitale.

Në hapjen solemne mbajtën fjalim Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, dr.Darko Kostadinovski, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ministri i Drejtësisë, prof.dr.Jeton Shasivari. Fjalim mbajti edhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski. Përmes lidhjes me video u drejtuan kryeministri, Hristijan Mickoski dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Val. Konferenca bashkoi kryetarë dhe gjykatës të gjykatave kushtetuese nga Evropa, Azia dhe Afrika, morën pjesë nënkryetarja dhe anëtarja e Komisionit të Venecias, gjykatësi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sekretari i përgjithshëm i Konferencës së Juridiksioneve Kushtetuese të Afrikës, kryetarët e gjykatave kushtetuese të Austrisë, Turqisë, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Kosovës, Egjiptit, Sllovenisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës.