Droni rus hyn në hapësirën ajrore polake, Varshava e denoncon si provokim

Një dron zbulues rus hyri për pak kohë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi natën nga Rusia kundër Ukrainës fqinje, njoftoi të martën ushtria polake, vetëm disa ditë pasi tre raketa ruse ranë në Poloninë lindore. 

Gjatë sulmit natën nga Federata Ruse kundër objektivave të vendosura në Ukrainën perëndimore, pati një shkelje të shkurtër të hapësirës ajrore polake nga një mjet ajror pa pilot rus”, tha Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura në një deklaratë.

Avioni ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga sistemet polake të monitorimit dhe komanda deklaroi se ishte dhënë autorizimi për ta rrëzuar atë. Pasi droni ndryshoi drejtim në lindje, ushtria, duke përmendur rrezikun e mundshëm për popullsinë civile, vendosi të mos e rrëzonte. 

“Ne po vazhdojmë me supozimin se ky ishte një akt i qëllimshëm”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Pawel Zalewski për stacionin privat radiofonik RMF 24 të martën.

Ishte një dron zbulues, sipas në zëvendësministri tjetër të mbrojtjes, Stanislaw Wziatek. 

“Veprimi i rusëve ishte njëkohësisht një formë provokimi dhe një mision i vërtetë zbulues mbi territorin polak”, i tha ai stacionit publik radiofonik PR 24. 

Kjo është shkelja e dytë e hapësirës ajrore polake vetëm brenda pak ditësh. Të premten, tre raketa ruse Ch-101 u rrëzuan në Poloninë lindore. Ndikimi i këtyre objekteve, i ndjekur në të paktën një rast nga një shpërthim dhe një zjarr, nuk shkaktoi lëndime.

Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, e denoncoi incidentin si një “provokim” rus, që përkoi me stërvitjet ushtarake që po mbaheshin në vend nga Koalicioni i të Gatshmëve, një grup vendesh perëndimore që mbështesin Ukrainën kundër Rusisë. Pas këtij incidenti, NATO vendosi t’i vinte në dispozicion Polonisë një avion zbulues AWACS.