Me shtimin e gjashtë klasave të reja, mundësohet zhvillimi i mësimit me një ndërrim në SHF „Kirill Pejçinoviq“ në Kisella Voda

Në shkollën fillore „Kirill Pejçinoviq“ në komunën Kisella Voda, nga 1 shtatori i këtij viti ka
filluar mësimi me një ndërrim, pasi paraprakisht, me një investim të përbashkët prej 19
milionë denarësh nga Qeveria dhe pushteti lokal, kapacitetet e shkollës janë zgjeruar me
gjashtë klasa të reja.
Sot, shkollën e vizituan ministrja e arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe
kryetarja e komunës, Kisella Voda, Beti Stamеnkoska Trajkoska.
„Funksionimi i shkollave me një ndërrim është një koncept për të cilin angazhohet Qeveria
aktuale në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, gradualisht po e zgjerojmë zbatimin e tij.
Efekti është shumëdimensional – fëmijët janë më të përqendruar në mësim gjatë orëve të
mëngjesit, qëndrojnë më gjatë në shkollë, duke pasur parasysh se kanë më pak orë mësimore
në nivel vjetor sesa bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, socializohen më shumë, ndërsa
njëkohësisht zvogëlohen edhe shpenzimet për funksionimin e objekteve shkollore“, tha
Janevska.
Ministrja theksoi se Kisella Voda do të marrë mbështetje për zgjerimin e kapaciteteve edhe
në objekte të tjera shkollore, me qëllim që mësimi të zhvillohet në një ndërrim në të gjithë
territorin e saj.
„Ministria tashmë ka përgatitur projekte për zgjerimin e edhe të tri shkollave me nga gjashtë
klasa të reja – SHF qendrore „Krume Kepeski“, SHF „Kuzman Shapkarev“ në Draçevo dhe
SHF „Rajko Zhinzifov“ në Pintija. Shumë shpejt do të shpallim procedurat për përzgjedhjen e
kompanive ndërtimore dhe pres që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojnë aktivitetet në
terren“, informoi Janevska dhe shtoi se në vend, nga gjithsej 1.023 objekte shkollore, në 620
prej tyre mësimi zhvillohet në një ndërrim.
Kryetarja e Komunës, Beti Stamnenkosa Trajkoska, tha se komuna i ka pajisur tërësisht
hapësirat e reja në SHFK “Kirili dhe Metodi” me karrige, banka, katedra, tabela, pajisje të
mençura në të gjitha klasat, si dhe kompjuterë portativë për mësimdhënësit.

“Përkujdesja për fëmijët dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve në të gjitha shkollat është
fokusi ynë i përbashkët”, theksoi kryetarja e komunës, duke shprehur mirënjohje ndaj
Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbështetjen dhe partneritetin, me
mesazhin se kur pushteti lokal dhe ai qendror punojnë me të njëjtin vizion, rezultatet janë
menjëherë të dukshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.