Një drejtor shtetëror në Serbi dyshohet se ka fshehur pasurinë me prejardhje kriminale, në vlerë prej të paktën 650 mijë eurosh.
Bëhet fjalë për Jugosllav N. (71), drejtor i Institutit Republikan Hidrometeorologjik të Serbisë, ndaj të cilit Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Ai dyshohet se, së bashku me dy persona të tjerë, nga nëntori i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2024, ka transferuar dhe konvertuar pasuri me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.
Hetimet tregojnë se drejtori ka deponuar në llogaritë e tij bankare mbi 41.8 milionë dinarë, mbi 43 mijë euro dhe 44.760 franga zvicerane, për të cilat dyshohet se nuk ka pasur burim të ligjshëm të të ardhurave.
Me këto para dyshohet se ka blerë edhe prona të paluajtshme në Beograd, Uzhicë dhe Mal të Zi, pa i deklaruar ndryshimet në pasurinë e tij, siç e obligon ligji.
Dy të dyshuarit e tjerë janë liruar nga paraburgimi ose janë vendosur nën masa kufizuese, ndërsa të tre akuzohen për pastrim parash.


