Babai” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton: Ndoshta do të ishte më mirë pa “AI”

Njëri nga pionierët e inteligjencës artificiale, fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, paralajmëron se njerëzimi mund të përballet me pasoja të rënda nga zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie. Sipas tij, madje mund të rezultojë se njerëzit do të kishin qenë më mirë sikur të mos e kishin zhvilluar kurrë inteligjencën artificiale.

Në një intervistë për gazetën britanike“The Guardian”, 78-vjeçari tha se brenda këtij viti ose vitin e ardhshëm mund të ndodhë një incident i madh i shkaktuar nga inteligjenca artificiale, i cili mund të paralizojë përkohësisht sistemet financiare ose furnizimin me energji elektrike.

“Ky mund të jetë Çernobili i inteligjencës artificiale”, paralajmëroi Hinton, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një katastrofë bërthamore, por për një sulm të mundësuar nga AI që mund të shkaktojë ndërprerje masive të energjisë elektrike ose të nxjerrë jashtë funksionit sistemin financiar për një javë.

Shkencëtari, i cili konsiderohet njëri nga themeluesit e inteligjencës artificiale moderne, kritikoi drejtuesit e kompanive të mëdha teknologjike, duke i akuzuar se janë të vetëdijshëm për rreziqet, por se i japin përparësi fitimit dhe dominimit të tregut.

Ai veçanërisht shprehu mosbesim ndaj drejtorit ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, ndërsa përmendi edhe Mark Zuckerbergun dhe Elon Muskun.

Hinton kërkon që kompanitë e inteligjencës artificiale të mos lejohen të publikojnë modele të reja pa kaluar paraprakisht nëpër kontrolle dhe vlerësime të pavarura. Ai propozon një sistem të ngjashëm me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), ku kompanitë do të duhej të dëshmonin se teknologjia e tyre sjell më shumë përfitime sesa dëme.

Pavarësisht paralajmërimeve, shkencëtari thotë se ende beson se njerëzimi mund t’i menaxhojë rreziqet dhe të shmangë një katastrofë, por vetëm nëse ndërmerren masa serioze dhe të koordinuara.

“Intuita ime më thotë se ende jemi në kontroll”, tha Hinton.

Ai u largua nga Google në vitin 2023, për të folur lirshëm për rreziqet e inteligjencës artificiale, pas më shumë se katër dekadash punë në këtë fushë.