Një kuzhinier italian është pushuar nga puna në një restorant në Brisbane të Australisë, pasi refuzoi të vendoste ananas në pica, duke e konsideruar këtë si “fyerje ndaj kulturës së tij”.
Davide Tamburella u pushua nga puna në maj nga restoranti tashmë i mbyllur La Costa, rreth dy javë pas një takimi me drejtuesit, të cilët kishin marrë një sërë ankesash për sjelljen e tij.
Ndër ankesat ishte edhe refuzimi i Tamburellas për të përgatitur pica ananas për mysafirët në një aktivitet. Në atë kohë, kuzhinieri kishte deklaruar se çdo udhëzim nga drejtuesit “nuk ka pse të zbatohet kur është fyes për kulturën e tij”.
Detajet u bënë publike pasi kuzhinieri iu drejtua Komisionit Australian për Punë të Drejtë, duke pretenduar se ishte pushuar padrejtësisht nga puna.
Në vendimin e publikuar të martën, komisioni theksoi se Tamburella kishte refuzuar të vendoste ananas në pica pasi “si italian, ai e konsideron vendosjen e ananasit në pica si fyerje ndaj kulturës së tij”.
Komisioni vuri në dukje gjithashtu se kjo ishte hera e tretë në katër vjet që Tamburella kishte refuzuar të përdorte këtë frut në pica.
Më herët, ai i kishte kërkuar shefit të tij që “të kontrollonte se sa e rëndësishme është për italianët të mos vendosin ananas në pica”.
Shteti i Queenslandit, ku ndodhej restoranti, konsiderohet qendra e prodhimit të ananasit në Australi dhe prodhon të gjithë sasinë e ananasit që kultivohet komercialisht në vend.


