Vdiq Biljana Plavshiq, arkitektja e gjenocidit të Bosnjes 1992-1995

Ka vdekur ish-udhëheqësja e serbëve të Bosnjës, Biljana Plavshiq, e cila ishte shpallur fajtore për krime kundër njerëzimit në Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë.

Fillimisht ajo ishte akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për rolin e saj të dyshuar në fushatën gjatë luftës për krijimin e një entiteti të veçantë serb në Bosnje.

AP raporton se ajo ishte dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë në vitin 2001 dhe më vonë, pas një marrëveshjeje për pranim të fajësisë u deklarua fajtore për përndjekje, që hynë në kuadër të veprave të krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq akuzat e tjera u tërhoqën.

“Zonja Plavshiq shpërfilli raportet për spastrimin e gjerë etnik dhe e arsyetoi dhe justifikoi publikisht atë”, tha Tribunali. “Ajo ishte në dijeni se udhëheqësit kryesorë të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës i shpërfillën këto krime, pavarësisht se kishin fuqinë për t’i parandaluar dhe ndëshkuar ato”.

Ajo u dënua me 11 vjet burgim dhe u lirua në vitin 2009, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit.