Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë nesër, më 2 tetor, Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të Qeverisë.
Von der Leyen pritet të mbërrijë në vend në orën 12:00, ndërsa dhjetë minuta më vonë është paraparë takimi tet-a-tet me kryeministrin Mickoski.
Para fillimit të takimit, mediat do të kenë mundësi të marrin pamje dhe të realizojnë inserte të shkurtra video dhe fotografi.
Pas takimit, Presidentja e Komisionit Evropian do të marrë pjesë në një drekë pune me kryeministrin Mickoski dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Në orën 13:45, në Qendrën për Media të Qeverisë, Von der Leyen dhe Mickoski do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të paraqiten detaje nga takimet dhe temat e diskutuara gjatë vizitës.


