Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se nisma “Turqia pa terror” tashmë i ka dhënë një shtysë të re rajonit, raporton Anadolu.
Duke folur në parlamentin turk me rastin e hapjes së vitit të ri legjislativ, Erdogan tha se nisma ka forcuar pozitën e Turqisë në një periudhë të trazirave rajonale.
“Në një mjedis ku rajoni ynë është shndërruar në një unazë zjarri, përpjekjet për një ‘Turqi pa terror’ tashmë kanë pasur efekt parandalues ndaj kundërshtarëve të Turqisë, kanë forcuar më tej fuqinë e Turqisë dhe i kanë dhënë një shtysë të re rajonit tonë”, tha ai.
“Për çështjet që lidhen me interesat kombëtare të Turqisë, politika duhet të jetë në gjendje të arrijë një konsensus të plotë”, tha Erdogan, duke iu referuar nismës së fundit si “Konsensusi i Madh i Turqisë”.
Erdogan theksoi se procesi “Turqi pa terror” synon ndërtimin e këtij “konsensusi kombëtar”.
– Turqia ruan rritjen pavarësisht luftërave dhe krizave në rajon
Duke folur për ekonominë turke, Erdogan tha: “Pavarësisht luftërave dhe krizave që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës në rajonin tonë, kemi arritur ta mbajmë Turqinë në rrugën e zhvillimit dhe rritjes”.
Ai tha se ekonomia e Turqisë u rrit me 2,5 për qind në bazë vjetore gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke shtuar se të ardhurat kombëtare vjetore të përllogaritura kishin tejkaluar 1.7 trilionë dollarë.
Ai po ashtu shtoi se eksportet e vendit arritën një rekord prej 280.3 miliardë dollarësh në bazë vjetore në gusht, shtoi ai. “Pas ngricave bujqësore dhe thatësirës së vitit të kaluar, sektori ynë bujqësor është rimëkëmbur me shpejtësi”, tha ai.
Erdogan tha se Turqia ruajti një performancë të fortë në turizëm pavarësisht konflikteve rajonale, duke shtuar se të ardhurat nga turizmi arritën në 25.7 miliardë dollarë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. “Ne e forcuam industrinë tonë kombëtare të mbrojtjes me produkte të reja ndërsa u shndërruam gjithashtu në një vend që eksporton produkte të mbrojtjes në mbarë botën”, tha ai.
Erdogan tha se eksportet e Turqisë në sektorin e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore u rritën me 16,2 për qind, duke arritur në 6.3 miliardë dollarë gjatë tetë muajve të parë të vitit. “Jemi në një pikë të qëndrueshme sa i përket bilancit tonë të jashtëm. Presim që deficiti i llogarisë korrente të mbetet në 2,6 për qind të prodhimit të brendshëm bruto këtë vit”, shtoi ai.
– Hetimi në vazhdim për fondet
Duke iu referuar një hetimi në vazhdim për fondet në vend, Erdogan tha: “Po e tejkalojmë me sukses edhe çështjen që ka lindur në një segment të caktuar të tregjeve të financimit”.
“Në përputhje me rregulloret e tregut të kapitalit, po e zgjidhim me shpejtësi këtë çështje, duke respektuar drejtësinë dhe barazinë dhe duke siguruar që të mos cenohen të drejtat e askujt”, tha Erdogan.
“Ne nuk do të lejojmë që kjo çështje të shndërrohet në një kërcënim për sigurinë tonë ekonomike dhe paqen sociale”, shtoi ai.
Dje, rregullatori bankar i Turqisë vendosi t’ia transferojë Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kursimeve administrimin e tre bankave investuese dhe dy kompanive të faktoringut, pas zhvillimeve të lidhura me një hetim në vazhdim për fondet.
Sipas Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare, vendimet përfshijnë Tera Investment Bank, Destek Investment Bank, Hedef Investment Bank, Destek Finance Factoring dhe Tera Finance Factoring.
Rregullatori tha se bordi i tij miratoi masat pas vlerësimit të zhvillimeve të fundit lidhur me procesin e njohur publikisht si “hetimi për fondet”.
Sipas rregullatorit, tre bankat përbëjnë 0,22 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar, ndërsa dy kompanitë e faktoringut përfaqësojnë 1,45 për qind të totalit të aktiveve të sektorit të faktoringut.


