Kryeministri slloven Janez Jansha deklaroi se Sllovenia nuk do të mbështesë asnjë progres të mëtejshëm drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian për sa kohë që Beogradi nuk dorëzon arkivat e ish-shërbimeve sekrete jugosllave që lidhen me Slloveninë.
Ai e publikoi këtë qëndrim në platformën e mediave sociale X, një ditë pas zgjedhjeve në Serbi, në një kohë kur po ngrihet sërish çështja e rrugës evropiane të këtij vendi.
Edhe pse komisaria evropiane për zgjerimin, Marta Kos, kishte deklaruar më parë se “dera e BE-së është e hapur” për Serbinë, mesazhet nga Sllovenia tregojnë se vazhdimi i negociatave nuk do të jetë i mundur pa zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy shteteve.
“Nuk do të japim pëlqim për asnjë progres për sa kohë që Serbia nuk i dorëzon Sllovenisë të gjitha arkivat e Udba-s, SDV-së, APJ-së, ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të ish-RSFJ-së që lidhen me Slloveninë”, deklaroi Janša.
Ai theksoi se Sllovenia do të mirëpriste një vendim eventual të autoriteteve të reja serbe për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit në BE, por me kushtin e qartë të dorëzimit të dokumenteve.


