Gjykata liron 10 të arrestuarit pas protestës, cakton detyrim paraqitje

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 10 personat e arrestuar në lidhje me ngjarjet e 24 tetorit 2026.

Vendimi u mor më 27 tetor, pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal.

Sipas njoftimit të gjykatës, arrestimet në flagrancë u vlerësuan të ligjshme, ndërsa për të gjithë personat nën hetim u caktua detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës, të hënën e parë të çdo muaji, në orare të përcaktuara për secilin.

Personat nën hetim dyshohen, në varësi të rastit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja e manifestimeve të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Njëri prej tyre dyshohet gjithashtu për prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta, një tjetër për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive, si dhe për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse.

Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të secilit prej tyre, nëse nuk mbahet për ndonjë çështje tjetër penale. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.

Protesta e 12-të e zhvilluar në Tiranë ditën e shtunë u shoqërua me shumë orë përplasje, incidente dhe dëmtime.

Sheshi “Skënderbej” u kthye në një nga pikat kryesore të tensionit, ku protestues të maskuar hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.