Taravari takohet me ambasadorin e BE-së, Michalis Rokas: Integrimi evropian mbetet prioritet

Arben Taravari ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet aktuale politike, perspektiva evropiane e vendit dhe përshpejtimi i procesit të integrimit në BE, shkruan Top24.

Përmes një postimi, Taravari e cilësoi takimin si shumë të frytshëm dhe produktiv, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të momentumit të ri të krijuar pas vizitës së fundit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ai vlerësoi se vendi ndodhet përpara një momenti të rëndësishëm dhe se nevojiten hapa konkretë për avancimin e procesit evropian.

Taravari theksoi gjithashtu rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimit të reformave të nevojshme për të çuar vendin përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, integrimi evropian mbetet një prioritet i rëndësishëm për sigurimin e një të ardhmeje me më shumë zhvillim, stabilitet dhe prosperitet për Maqedoninë e Veriut.

 

Postimi plotë:

Takim i frytshëm me ambasadorin e BE-së, Michalis Rokas

Sot zhvillova një takim shumë të frytshëm dhe produktiv me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, z. Michalis Rokas.

Diskutuam për zhvillimet aktuale politike, perspektivën evropiane të vendit dhe nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut ndodhet përpara një momenti të rëndësishëm. Vizita e fundit e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka krijuar një momentum të ri, të cilin duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht.

Besoj se është koha për hapa konkretë, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe për avancimin e reformave që do ta çojnë vendin përpara në rrugën drejt BE-së.

Integrimi evropian mbetet prioriteti ynë dhe rruga drejt një të ardhmeje me më shumë zhvillim, stabilitet dhe prosperitet.