Tifogrupi “Çlirimtarët” ka reaguar pas refuzimit të kërkesës së “Ballistëve” nga kryesia, duke theksuar se vendimi është marrë për shkaqe sigurie dhe për të shmangur problemet e mundshme.
Në reagimin e tyre, “Çlirimtarët” shprehen se e kuptojnë vendimin, por nënvizojnë se tifozët shqiptarë duhet të jenë të bashkuar dhe se mikpritja e respekti duhet të mbizotërojnë.
“Një gjë duhet të jetë e qartë: Çlirimtarët janë mikpritës”, thuhet në reagim, ku theksohet se nuk kanë asgjë kundër “Ballistëve” dhe se çdo tifogrup shqiptar është i mirëseardhur.
Ata shprehin shqetësimin edhe për mundësinë e ndalimit të hyrjes së “Ballistëve” në stadium, duke bërë të qartë qëndrimin e tyre në rast se merret një vendim i tillë.
“Nëse Ballistëve u ndalohet hyrja, edhe Çlirimtarët do ta braktisin fushën”, thuhet në reagim.
Në fund, “Çlirimtarët” theksojnë se nuk kërkojnë përçarje apo probleme, por bëjnë thirrje për respekt, mikpritje dhe solidaritet mes tifozëve shqiptarë.
“Çlirimtarët – gjithmonë mikpritës, gjithmonë me Shkëndijën”, përfundon reagimi i tifogrupit.


