Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, gjatë qëndrimit në Stamboll në kuadër të Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë, ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të drejtësisë nga Turqia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Shasivari është takuar me homologun e tij turk, ministrin e Drejtësisë Akın Gyrlek, i cili njëkohësisht ishte nikoqir i Samitit Ndërkombëtar të Drejtësisë. Në fokus të bisedimeve, sipas Shasivarit, kanë qenë sfidat e përbashkëta në fushën e drejtësisë, proceset reformuese dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive.
“Biseduam për sfidat e përbashkëta në drejtësi, proceset reformuese dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive”, deklaroi Shasivari.
Ministri i Drejtësisë e vlerësoi Turqinë si një partner të rëndësishëm për vendin, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve.
“Turqia është një partner i rëndësishëm për vendin tonë, ndërsa shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira është një mundësi për të avancuar më tej punën e institucioneve tona”, theksoi ai.
Shasivari tha se bashkëpunimi institucional dhe dialogu i drejtpërdrejtë janë të rëndësishëm për ndërtimin e sistemeve të drejtësisë më efikase dhe më të besueshme.
“Besoj se dialogu i drejtpërdrejtë dhe partneritetet konkrete janë rruga e duhur për të ndërtuar sisteme drejtësie më efikase dhe më të besueshme”, u shpreh ministri.
Në margjinat e samitit në Stamboll, Shasivari zhvilloi gjithashtu takim me zëvendësministrin e Drejtësisë të Bosnjë e Hercegovinës, Elvir Mahmuziq.
Sipas Shasivarit, në këtë takim u shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me reformat në drejtësi, sfidat e përbashkëta të vendeve të rajonit dhe mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë.
“Shkëmbyem mendime dhe përvoja për reformat në drejtësi, sfidat që ndajmë si vende të rajonit dhe mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë”, deklaroi Shasivari.
Ai vlerësoi se vendet e rajonit kanë mundësi të përfitojnë nga përvojat e ndërsjella, veçanërisht në proceset reformuese dhe në forcimin e institucioneve.
“Besoj se kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave janë të rëndësishëm për ndërtimin e institucioneve më të forta dhe afrimin me standardet evropiane”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Takimet në Stamboll, sipas Shasivarit, janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal në fushën e drejtësisë, me fokus në reformat institucionale, shkëmbimin e praktikave dhe përafrimin me standardet evropiane.


