Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka edhe një opsion tjetër ku mund t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030, në rast se Kosova nuk arrin të përmbush kërkesat për të organizuar këtë eveniment sportiv.
Kështu të paktën bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media, të premten.
“E kanë edhe opsionin shtesë të cilën edhe ma thanë, e kanë ofertën të organizojnë lojërat në një shtet tjetër ku infrastruktura është pothuajse e gatshme, pra është çështje serioze”, tha Rama.
Çfarë ndodhi?
Kosova rrezikon ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 për shkak të vonesave në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative, ka paralajmëruar Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Shqetësimet e Komitetit u bënë publike nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili publikoi një letër të adresuar kryeministrit Albin Kurti, vetë atij dhe kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
Sipas letrës, ICMG-ja nuk ka marrë përgjigje ndaj një shkrese të dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, nuk është siguruar garancia bankare që duhej të përfundonte në janar të këtij viti dhe nuk është paguar tarifa për muajin qershor.
Për shkak të këtyre vonesave, Komiteti ka paralajmëruar se më 19 dhjetor do të shqyrtohet propozimi për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Pas publikimit të letrës, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka kundërshtuar pretendimin se Kosova mund ta humbasë organizimin e lojërave.
Në një reagim në Facebook, Gashani ka siguruar se Qeveria mbetet e përkushtuar për realizimin e projektit dhe se institucionet po vazhdojnë bashkëpunimin me ICMG-në dhe partnerët e tjerë për përmbushjen e detyrimeve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre”, ka deklaruar ministri, duke iu referuar Lojërave Mesdhetare.
Gashani e ka kritikuar Ramën për publikimin e letrës, duke thënë se shqetësimet duhet të trajtohen përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe jo përmes rrjeteve sociale. Megjithatë, në reagimin e tij nuk ka dhënë hollësi konkrete për detyrimet e papërmbushura dhe afatet për përmbushjen e tyre.
Ndërkaq, Rama i është kundërpërgjigjur ministrit, duke i kërkuar që ta përkthejë dhe ta lexojë letrën e ICMG-së, meqë, sipas tij, paralajmërimi për mbledhjen e jashtëzakonshme është zyrtar.
“S’po e them unë, po e thonë ICMG që s’po ju përgjigjeni, prandaj kanë me thirrë mbledhje të jashtëzakonshme me kqyrë çka me bo me neve!”, ka shkruar Rama.
Ai ka pretenduar gjithashtu se, përtej shqetësimeve të shprehura zyrtarisht në letër, ka pasur pakënaqësi të tjera lidhur me mënyrën se si është trajtuar organizimi i lojërave. Sipas Ramës, ndër çështjet që kanë shkaktuar pakënaqësi ka qenë edhe kërkesa për ndryshimin e emrit nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, si dhe kërkesa që kryeministri Kurti të bëhej vetë kryetar i organizimit.


