Prilepi dhe Manastiri, një hap më afër lidhjes me autostradë

Ndërtimi i autostradës Prilep – Manastir po ecën me ritëm të mirë, ndërsa pritet që 12 kilometrat e parë nga gjithsej 40 kilometra të vihen në funksion vitin e ardhshëm, informoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Në një paraqitje në podkastin „Ku janë paratë?“, Nikolloski foli edhe për pjesën e mbetur të lidhjes nga Farishi deri në Prilep. Ai theksoi se në këtë pjesë zbatohet një qasje e ndryshme gjatë ndërtimit, e cila duhet të kontribuojë për një stabilitet më të madh.

“Për herë të parë në Maqedoni po ndërtohet autostradë pa bazament prej dheu, gjegjësisht po vendoset bazament prej gurësh të thërrmuar, që do ta rrisë ndjeshëm stabilitetin gjatë vozitjes. E njëjta do të zbatohet edhe në Kërçovë–Bukojçan dhe Shkup–Bllacë”, deklaroi ministri.

Sipas Nikoloskit, segmenti i parë i autostradës duhet të vihet në funksion vitin e ardhshëm.

“12 kilometrat e para nga gjithsej 40 në autostradën Prilep–Manastir do të vihen në funksion vitin e ardhshëm. Ajo që mbetet tani është pjesa nga Farishi deri në Prilep, sepse autostrada fillon diku 9 kilometra mbi Prilepin dhe do të mbeten 25 kilometra që nuk janë zgjidhur. Për këto 25 kilometra aktualisht po diskutojmë për të gjetur një zgjidhje që të ndërtohen si autostradë ose rrugë ekspres”, theksoi Nikolloski.

Sipas tij, Prilep–Manastir është pjesë e ndërlidhjes më të gjerë infrastrukturore të rajonit, ndërsa gjatë periudhës së kaluar u vunë në funksion edhe të dyja fazat e rrugës ekspres Prilep–Gradsko, gjegjësisht seksionet Gradsko–Drenovë dhe Drenovë–Farish.